Ministri i Mbrojtjes i përgjigjet bashkëpartiakut për konkursin dhe rekrutimet në FSK
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Rrustem Berisha i është kundërpërgjigjur bashkëpartiakut, Bekë Berisha lidhur me deklaratën e tij se në përzgjedhjen e kandidatëve të FSK-së dhe Policisë ka pas ndërhyrje dhe nuk janë zgjedhur meritorët.
Ministri Berisha i kontaktuar nga Agjencia e Lajmve FaktePlus, ka thënë se një gjë e tillë nuk ka shanse të ndodhë, madje edhe se kjo nuk është në natyrën e tij.
Për të parë nga afër rezultatet e gjithsecilit që ka ankesa, ministri ka ftuar edhe deputetin që të deponojë ankesat dhe ato do të verifikohen.
“Për ndërhyrje, nëse mendon dikush se ka pas ndërhyrje nga jashtë, le t’i paraqesin dhe ato do të shqyrtohen. Nuk ka shanse ajo me ndodhë ashtu, dhe nuk është niveli im. Për mua është e rëndësishme me u zgjedh më të mirët, që është synim edhe i institucioneve tona. Aty është një bord dhe janë ushtarakë të profesioneve të ndryshme. Jam i gatshëm edhe deputetit me u përgjigj nëse ka ndonjë paqartësi për ndonjë kandidat. Edhe ai mund të vi vetë të verifikoj rezultatet e të gjithëve”, tha Berisha.
Tutje ministri thotë se është problem që në mesin e 6750 kandidatëve të zgjedhën vetëm 650 për çka më pas ka pakënaqësi.
Por, ai ka thënë se secili që mendon se i është bërë e padrejtë le të paraqes ankesë dhe ato do të merren parasysh.
“Ne do t’i shqyrtojmë shumë seriozisht ankesat e gjithsecili dhe jemi të interesuar që çdonjërit t’i kthejmë përgjigje, madje edhe t’iu kthejmë kamerat dhe nëse dikujt iu ka bërë e padrejtë do të shqyrtojmë ankesën e gjithsecilit”, potencon Berisha për FaktePlus.
Megjithatë, ministri tha se sot do të marrë raportin se si ka shkuar gjithë procesi i rekrutimit, por që thekson se nuk ka mundur të ketë parregullsi.
“Dje është publikuar një listë të rekrutëve që kanë kaluar testin fizik dhe të inteligjencës dhe unë e di se vërtetë interesimi ka qenë shumë i madh i të rinjve për me qenë pjesë e FSK, por ne nuk kemi pas mundësi me i pranu 6750 sa kanë qenë të interesuar. Pro unë jam në pritje të një raporti të procesit se si ka shkuar, por mendoj se parregullsi nuk ka pas. Por çdonjëri që mendon se i është bërë e padrejtë le të deponon ankesë dhe ne do të mundohemi me ia sqaru me rezultate me të gjitha”, tha Berisha.
Deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha gjatë ditës së sotme ka kërkuar llogari nga dy ministra të Qeverisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe Ekrem Mustafa, lidhur me konkurset e hapura dhe përzgjedhjen e kandidatëve në FSK dhe në Polici.
Ai thotë se ka pasur edhe më parë fakte e dëshmi nga persona të ndryshëm se përzgjedhja e kandidatëve për t’u punësuar në FSK e polici ka qenë e dyshimtë.
Lexojeni statusin e plotë dhe pa ndërhyrje të deputetit Berisha:
Sot pranova dhjetra thirrje telefonike dhe mesazhe zhgenjyese të kandidateve për ushtarë në FSK , djem e vajza të Kosoves të bindur qe kan kaluar testimet fizike dhe psiqike me 100 %, por qe nuk janë zgjedhur .
Të njetat mesazhe të zhgenjimit kam pranuar edhe në perzgjedhjen për polici dhe kam pas fakte që perzgjedhet aty kan qenë të dyshimta por nuk reagova për shkak se nuk isha i sigurte dhe nuk doja që të lendoja konkursin institucionin por as te perzgjedhurit .
Minister Rrustem Berisha pres që të deklarohesh qka ka ndodhur ne kete konkurs dhe a ka qen i drejt , transparent dhe si janë rezultatet e verteta .
Po ashtu edhe ministri i puneve te mbrendshme Ekrem Mustafa per konkursin në polici.