“Ministri i Labit” harxhon mbi 25 mijë euro të shtetit për dyshekë RELAX-i
Ministrat në detyrë të Qeverisë së Kosovës që vijnë nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR) në fund të mandatit të tyre, po nënshkruajnë tenderë për gjëra nga më të ndryshmet. Dje nga një ministri janë dhënë mbi 25 mijë euro për larje të veturave, kurse sot edhe një ministri tjetër ka dhënë mbi 25 mijë euro për dyshekë RELAX-i.
Pas ministrit në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi për nënshkrimin e kontratës mbi 25 mijë euro për larjen e veturave, tani është ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa që po shpenzon hiç më pak se 25 mijë euro për një tender.
Mustafa që në opinion është i njohur edhe si “ministri i Labit”, respektivisht Labinot Tahirit, për shkak se mori detyrën ministrore falë votës së tij dhe kushteve që i pati vënë anëtëhere koalicionit qeveritar, që një ministër të jetë nga Ferizaj.
Si do qoftë, ministria që drejtohet nga Ekrem Mustafa në fund të mandatit është siguruar që pasardhësit e tij dhe të punësuarve në këtë institucion t’iu blej shtretër të metaltë e dyshekë ortopedik RELAX.
Me këtë tender, parashihen që të bëhet furnizimi me 150 shtretër të metaltë, 150 dyshekë ortopedik, që specifikohet të jenë RELAX.
Po ashtu parashihet të blihen edhe disa rafte që do të vendosen në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), si dhe shportë për mbeturina për ambientet e jashtme, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Tashmë është nënshkruar edhe kontrata për tenderin “Furnizim me shtretër, dyshekë dhe dollapa”.
Fitues i këtij tenderi me vlerë prej mbi 25 mijë euro është kompania “Mobelland” Sh.P.K. nga Suhareka.
Në dosjen e tenderit janë specifikuar edhe detajet se si dhe qysh duhet të jenë shtretërit, dyshekët e dollapët.
Dimensionet e 150 shtretërve të metaltë duhet të jenë 200cm x 90cm x 80cm. Krevati duhet të jetë i punuar nga profilet metalike me dimension 40×40 dhe me trashësi 2mm. Metali duhet të ketë me ngjyrë elektrostatike të hirtë. Kurse mbajtësja e shtratit ku vendoset dysheku duhet të jetë nga llamarina dhe duhet të jetë 3 mm. Si dhe këta shtretër duhet ‘i kenë shkallët e integruara që mundësojnë ngjitjen në katin e dytë të krevatit.
E dyshekët ortopedik duhet të jenë me dimension 200 x 90 x 25 cm. 150 dyshekët ortopedik duhet të jenë RELAX dhe të kualitetit të lartë. Madje, dyshekët duhet të jenë të mbështjellë me fibra poliester.
Ndërkaq, kompania “Mobelland” Sh.P.K sipas të dhënave në “Prokurim i Hapur” del të ketë marrëdhënie të mira me institucionet shtetërore.
Në top blerësit, “Morelland” Sh.P.K e ka Prokurorinë e Shtetit, më pas kompaninë e Ujësjellësit Rajonale “Prishtina” SH.A, Spitali Regjional-Prizren, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës si dhe Hortikulturën Sh.A.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus, ka raportuar gjatë ditës së djeshme edhe për tenderin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, “Pastrimi i veturave të MMPH-së”.
Janë 25 mijë e 228 euro e 56 cent që MPMH i ka dhënë që veturat e saj të pastrohen si është më së miri.
Tenderi i hapur në muajin mars, kishte kaluar nëpër shumë ankesa të cilat përfunduan në “Gjykatën e Tenderëve”.
Por tashmë gjithçka ka marrë fund rreth këtij tenderi. Është bërë edhe nënshkrimi i kësaj kontrate me kompaninë fituese.
Tenderi “Pastrimi i veturave të MMPH-së për vitin 2019” i është dhënë kompanisë ‘AS Tech’ SH.P.K./FaktePlus
Në fund të mandatit, Fatmir Matoshi i çon mbi 25 mijë euro për larje të veturave