Ministri Gent Cakaj vizitoi familjen e Jonuz Musliut
Ministri shqiptar për Punët e Jashtme dhe Evropën Genc Cakaj ka vizituar familjen e ish liderit politik shqiptar të Luginës së Preshëvës, Jonuz Musliut, ku është pritur nga pasardhësi i Jonuz Musliut, lideri aktual i LPD-së, Shqiprim Musliu, kandidat për kryetar të komunës së Bujanocit.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe për Evropën i Shqipërisë Gent Cakaj ka vizituar familjen e ish liderit shqiptar në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliut, në fshatin Konçul të Bujanocit.
Ministri Cakaj, pasi ka bërë homazhe tek varri i Jonuz Musliut, bashkë me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd Ilir Boçka, kanë shkuar në shtëpinë e familjes Musliu ku janë pritur nga Shqiprim Musliu, i biri i ish liderit shpirtëror të Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD).
Musliu, aktualisht është kandidat për kryetar të Komunës së Bujanocit, nga radhët e LPD-së.
Ministri Gent Cakaj duke folur për kontributin e Jonuz Musliut ka thënë se nuk dëshiron të ekzagjeroj as minimizoj kontributin e dikujt, por as të bëj politikë, pasi vizita në shtëpinë e Musliut për të ka simbolikë të veçantë.
“Qoftë në kapacitetin e tij si ish komandant i UÇPMB-së, qoftë si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, qoftë për parimet që ka mbajtur gjithmonë, kur nuk ka guxu bash gjithkush në ballafaqim me presidentin aktual të Serbisë me përmend Pavarësinë e Kosovës e me ardhë me jetu prapë këtu, që zyrtarisht është territor që dihet prej kujt kontrollohet, kjo nuk ka qenë bash e lehtë”, ka thënë Cakaj duke shtuar se këtë punë nuk e zhbën asnjë koment i askujt.
Ndërkaq, Shqiprim Musliu, i biri i ish liderit politik shqiptar në Luginën e Preshevës Jonuz Musliut, ka thënë se ministri Cakaj me kujdesin ndaj familjes së tij po kryen edhe një veprim kushtetues.
Cakaj në anën tjetër ka ofruar mbështetjen e tij familjes Musliu.
“Prej nesh e ke mbështetjen e plotë. Nuk kam ardhë këtu as me ba politikë as kurgjo, çështjet e politikës i diskutojna në kuadër partiak, por ka diçka që shkon përtej politikës. Edhe këtë takim këtu nuk kam dashur ta bëj pa një simbolikë”, ka shtuar ministri Cakaj.
Ai i ka dhuruar Shqiprim Musliut një flamur të Shqipërisë dhe një statujë të Skënderbeut në shenjë simbolike.
“T’i mbash me nder sepse jemi këtu ku i vetmi vend (në Serbi – v.j.) ku shpaloset flamuri i Shqipërisë dhe një statujë të Skënderbeut që është një shenjë uniteti dhe mbaje kujtim prej nesh dhe qofshim bashkë gjithmonë”, ka shtuar Cakaj.
Pas vizitës në shtëpinë e Shqiprim Musliut, Cakaj është shoqëruar edhe në objektin që ka qenë shtab i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. (UÇPMB).