Ministri austriak: Anulimi i fluturimeve nuk nënkupton mbylljen e kufijve me shtetet e Ballkanit
Është ende e mundur që përmes udhëtimit tokësorë të hyni në Austri nga shtetet e Ballkanit Perëndimor
Ministri Austriak i Shëndetësisë Rudolf Anshober ka theksuar për media austriake se rregullorja për anulimin e aterrimit të aeroplanëve në Austri nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të thotë mbyllje e kufijve me këto vende.
“Ne nuk duam asnjë rrezik. Synimi është të forcojmë kontrollet dhe të ndërmarrim veprime”, ka thënë Anshober para gazetarëve, përcjell Albinfo Austria.
Në një rregullore të publikuar më 14 korrik nga Ministria e Shëndetësisë thuhet se nga data 16 korrik, (dita e enjte) ndalohen aterrimet e aeroplanëve nga 18 vende në aeroportin e Vjenës, në Schwechat, duke përfshirë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pa përjashtim edhe për linjat ajrore me shtetet shqiptare.
Masa është e vlefshme deri në fund të korrikut, dhe pastaj, sipas situatës do të merren edhe vendime të reja.
Ministri ka theksuar gjithashtu se nuk bëhet fjalë për mbyllje të kufijve, pasi është ende e mundur që përmes udhëtimit tokësor të hyhet në Austri nga shtetet e listës së “kuqe”, por të gjithë duhet të dëshmojnë testin PCR negativ ose detyrohen të bëjnë një karantinim dy javor në shtëpi.