Ministri Abdixhiku flet për FaktePlus, tregon si është gjendja rrugëve të Kosovës
Reshjet e fundit të borës dhe stuhitë e shumta kanë përfshirë gjithë territorin e Kosovës.
Pjesët më të prekura janë komuna e Istogut, Dragashit dhe Kamenicës, por edhe komunat erendimore të Kosovës, përcjell FaktePlus.
Madje për shkak të reshjeve të shumta dhe motit të keq sot në tri komuna është pezulluar edhe procesi mësimor.
Por, se si është gjendja e rrugëve tani në Kosovë?
Për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka folur ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se të gjitha rrugët janë të hapura dhe të kalueshme.
Mirëpo, sipas tij probleme të vogla janë duke u paraqitur në Komunën e Dragashit, pikërisht në Restelicë dhe Brod.
“Të gjitha ekipet janë në terren. Rrugët nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës janë të hapura dhe të kalueshme. Probleme të vogla janë në Restelicë dhe Brod. Po merremi edhe me këtë pjesë”, ka thënë Abdixhiku për FaktePlus.
Reshjet e borës në Kosovë kanë filluar që dy ditë, ndërsa në vend po mbizotëron mot i ftohtë dhe me ngrica.
Qarkullimi me automjete është vështirësuar gjithandej dhe në disa pjesë më të thella, respektivisht fshatra në komuna të ndryshme rrugët janë edhe të pakalueshme./FaktePlus