Ministrat e vendeve të BE japin ‘OK’ për çeljen e negociatave për Shqipërinë, reagojnë liderët
Bashkimi Evropian në në fund ka dhënë dritën jeshile për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Lajmi është bërë publik nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Vaferlei, i cili me anë të një postimi në mediat sociale shprehet se është i lumtur që më në fund Shqipëria dhe Maqedonia çelën negociata me BE-në.
Pas lajmit pozitiv që është marrë në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Vendeve të BE, kanë ardhur dhe reagimet politike në Shqipëri. Pas lajmit të rëndëishëm të negociatave, në një kohë kur vendi është prekur nga pandemia globale e koronavirusit, i pari që e përshëndeti vendimin ishte kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili tha se thashmë e gjitha ndodhet në dorën e politikës shqiptare për të bërë ëndërrën e shqiptarëve realitet.
Pas tij, kanë reaguar me radhë presidenti Ilir Meta, i cili shkruan se falenderon të gjitha shtetet anëtare për këtë vendim, që e quan inkurajues. Më tej, kreu i Shtetit shton se asnjë minutë nuk duhet humbur për të zbatuar sa më parë secilin prej kushteve që i paraprijnë konferencës ndërqeveritare për nisjen e negocimit të kapitujve.
Nuk mund të mungonte dhe një reagim nga Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili shkruan në një postim në mediat sociale hapja e negociatave është një lajm i mrekullueshëm. “E ardhmja jonë është në BE. Të dua përtej fjalëve, Shqipëri”, shkruan ministri. Nuk mungoi një reagim as nga përfaqësuesit zyrtar të Amerikës në vendin tonë. Ambasadorja Yuri Kim tha se vendimi ishte i merituar dhe se Shqipëria do ta kishte gjithmonë pranë Amerikën. I vetmi reagim që mungon është ai i kryeministrit Edi Rama, i cili pritet që të prononcohet për këtë çështje më vonë në një deklaratë publike nga zyra e tij.
KUSHTET PËR SHQIPËRINË
Por edhe pse në Shqipëri ka nisur festa, sërish BE kërkon plotësimine disa kushteve nga vendi ynë për të vijuar me bisedimet. Sipas dokumentit të Komisicionit Evropian, kërkon që Shqipëria të vijojë me plotësimin e ‘detyrave të shtëpisë’. Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR duke siguruar financim transparent të partive politike, të sigurojë vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese përfshi Gjykatën e Lartë si dhe të marrë në konsideratë opinionet ndërkombëtare përfshi atë të komisionit të Venecias. Duhet të përfundojë ngritjen e strukturave të posaçme kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu kërkohet që të luftojë azil kërkimin e shtetasve shqiptarë përfshi pranimin e të dëbuarve nga BE. Të kryejë amendimet e ligjit të medias në përputhje me rekomandimet e komisionit të Venecias., si dhe duhet të demonstrojë progres në respektimin e ligjit të vitit 2017 për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve. Kusht ky i shtuar së fundmi nga ana e Greqisë.
SI VIJON PROCEDURA?
Tashmë Shqipëria pret dhe kalimin e një muri për të marrë përfundimisht dritën jeshile dhe vijimin e bisedimeve më BE-në. Tashmë pritet që të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare brenda këtij viti. Dhe kushti mbi kushtet është se vendet anëtare i kërkojnë Komisionit Evropian që të bëjë një raport për përmbushjen e këtyre kushteve të deritanishme, përpara se të zhvillohet takimi i parë BE- Shqipëri. 27 vendet kanë rënduar edhe procedurën se si do të arrihet tek konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në./dosja.al/