Miliarderi rus kërkon azil në Mal të Zi
Një miliarder rus me origjinë nga Azerbajxhani është arrestuar në Mal të Zi pasi Rusia e kërkonte atë nën dyshimet se ka urdhëruar vrasje me pagesë.
Mediat lokale në Mal të Zi raportuan më 2 tetor se Telman Ismailov ka paraqitur kërkesën për azil në këtë vend, një ditë pasi u arrestua në Podgoricë, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Rusia.
Gazeta Vijesti raportoi se kërkesa për azil politik mund të komplikojë ekstradimin e Ismailovit në Rusi.
Djali i tij, Alekper Ismailov, ka në pronësi një kazino në qytetin bregdetar të Budvës.
Në Rusi, miliarderi rus, akuzohet se më 2016 ka paguar për vrasjen e dy biznesmenëve në rajonin e Moskës. Ai akuzohet gjithashtu për rrëmbimin e një këngëtari më 2004.
Ismailov dikur ka qenë një nga biznesmenët me lidhje të shumta në Rusi. Më 2009 autoritetet ruse ia mbyllën një treg në ambient të jashtëm për shkak të “shkeljeve sanitare dhe të sigurisë” dhe kryerjen e aktiviteteve të paligjshme.
Në atë kohë, Komiteti Hetues i Rusisë tha se ai treg funksiononte si një “shtet brenda një shteti”. Kritikët thonë se mbyllja e tregut Cherkizovsky mund të ketë qenë pjesë e një beteje për pasuri të patundshme në Moskë.
Ky biznesmen ka qenë në shënjestër të presidentit rus, Vladimir Putin, për shkak të stilit të tij të jetës luksoze.
Mbyllja e tregut ndodhi disa javë pasi Putini e qortoi Ismailovin për mbajtjen e një ahengu përurues luksoz në hotelin e tij me pesë yje Mardan Place në Turqi në një kohë kur rusët po vuanin pas krizës financiare të vitit 1998.
Dëshmitarët e atij organizimi patën thënë se kartëmonedhat 100 dollarëshe lëshoheshin nga tavani mbi mysafirët, ndër të cilët edhe yje të Hollivudit dhe pjesëtarë të elitave ruse. Një ndër mysafirët e asaj feste ka qenë edhe kryeministri i atëhershëm i Malit të Zi, dhe tani presidenti, Millo Gjukanoviq, raporton Vijesti.
Putin pati thënë se miliarda dollarët e fituar në Rusi, duhet të investohen në vend, dhe jo në projekte jashtë.
Ismailov përfundimisht pati ikur nga Rusia dhe pronat e tij atje u konfiskuan