Mijëra kosovarë po shkojnë për ndihmë në Shqipëri, Edi Rama i detyroi ta paguajnë taksën rrugore
Tragjedia e shkaktuar dje nga tërmeti që goditi Shqipërinë, ka mobilizuar edhe institucionet e Kosovës e qytetarët për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti. Përveç pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, të cilët kanë shkuar në Durrës për t’i ndihmuar autoritetet shqiptare në shpëtimin e njerëzve të mbetur nën rrënoja, qytetarët e Kosovës janë mobilizuar për t’iu dërguar ndihma me autobusë, vetura e mjete tjera.
Por, të gjitha ato ndihma që janë grumbulluar në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, e qytete tjera, janë bartur me autobusë të kompanive kosovare falas.
Mirëpo, këtyre kompanive të autobusëve u është dashur të paguajnë taksën rrugore e vendosur nga Qeveria e Shqipërisë, shkruan FaktePlus.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, e ekonomist, e vlerësojnë ta pavend mos heqjen apo pezullimin e taksës rrugore për një periudhë derisa ka ndihma që po dërgohen nga Kosova për qytetarët shqiptarë të prekur nga tërmeti.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se ky është një vendim i autoriteteve të Shqipërisë, porse do duhej të pezullohej kjo taksë.
“Ne si qeveri nuk i qesim kushte Shqipërisë, hiqeni këtë, ne ju ndihmojmë, ai është vendim i Qeverisë së Shqipërisë. Nuk duket që është vendim i mirë, të paktën ish dashtë ta pezullojnë, po flas tash si qytetarë, po nuk mund t’ia imponojë. As Qeveria jonë nuk mund t’ia imponojë, ai është një vendim i tyre. Ata kanë tash ndonjë kontratë me ndonjë kompani private që janë në obligime dhe qeveria shqiptare ish dashtë të bisedojë me kompaninë dhe ta pezullojë ose t’ia kompensojë atë humbje që mund ta ketë ekonomia e tregut, sepse kjo është ekonomi e tregut, jo ekonomi e dirigjuar që shtetit qysh donë i lëvizë vendimet”, tha Shatri për FaktePlus.
Shatri shton se qeveria shqiptare do duhej ta kishte një dozë të vetëdijes dhe ta lehtësojë dërgimin e ndihmave
“Normalisht që ata do duhej të bënin veprime, po vlerësoj sepse nuk mund të imponojë, por do të ishte njerëzore që kjo sa të zgjatë, të paktën ne po e marrim këtë vendim, do të thotë do të ishte e udhës sepse kanë nevojë të shkojnë sa më shumë njerëzit dhe tash mos t’i gjobisin. Sepse gjithkund në botë ndihmat humanitare janë të liruara nga çdo obligim”, theksoi Shatri.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e quan të çuditshme se si nuk është marrë një vendim deri tash që të hiqet apo pezullohet taksa rrugore për gjitha kosovarët që dërgojnë ndihma për familjet e prekura nga tërmeti.
“Ajo është kërkesë urgjente të hiqet tash. Po mendoj as që diskutohet ajo dhe po me duket e çuditshme që nuk ka ende vendim për heqjen e asaj takse. Se paku në këto ditë që ka lëvizje të tilla të solidaritetit. Qeverisë së Shqipërisë nuk duhet t’i bëhet kërkesë fare, ajo është e nënkuptueshme. Nëse nuk e heqin edhe sot atëherë i vendosin një hije të keqe krejt këtij solidariteti”, ka thënë Rukiqi, për FaktePlus.
Dhjetëra autobusë gjatë ditës së djeshme kanë dërguar ndihma për gjithë të prekurit nga tërmetit, derisa sot ne mëngjes kanë sjellë edhe familje të cilët kanë mbetur pa shtëpi, në Pejë, ku janë strehuar te qytetarët në këtë qytet që kanë shprehur gatishmërinë t’i lëshojnë shtëpitë e tyre për qytetarët shqiptarë. /FaktePlus