Mijëra euro në udhëtime, Qeveritarët preferuan biletat biznes-klasë
Çmimet e biletave të aeroplanit nga Kosova dhe për Kosovë janë fort të larta për qytetarët e poashtu edhe për mërgimtarët.
Por politikanët dhe përfaqësuesit e institucioneve nuk e kanë fare këtë problem kur iu duhet të udhëtojnë zyrtarisht.
Bile në shumë raste zgjedhin vet që fluturimin ta bëjnë me klasë sa më komode.
Kështu, për një udhëtim te një zyrtari nga zyra e kryeministrit, buxhetit te shtetit i janë shpenzuar hiq me pake se 5 mijë e 954 euro.
E bileta të shtrenjta janë paguar edhe nga zyra e Presidencës.
Një e tillë ishte paguar 5 mijë e 483 euro dhe atë për fluturim nga Vjena për Boston të SHBA-ve dhe kthim për në Prishtinë.
Këto dhe shume dallavere të tjera me biletat e udhëtimit janë bërë publike në raportin më të ri të Zyrës Kombëtare e Auditimit, që mbulon periudhën 2016-2019.
Gjatë kësaj kohe, Organizatat Buxhetore kanë pranuar rreth 8,500 fatura vlera e përbashkët e të cilave është afër 9.6 milionë euro.
Subjekt i këtij auditimi ishte Agjencia Qendrore e Prokurimit, përgjegjëse për zhvillim të aktivitetit të prokurimit dhe monitorim të zbatimit të kontratave, ndërsa janë audituar pagesa në nëntë nga rreth 90 Organizata Buxhetore .
Sipas asaj qe ka gjetur ky raport, keqpërdorimet e mëdha janë bërë të klasa e biletave të udhëtimit e ku dallimi në çmim sillet nga 20 përqind deri në 300 përqind.
Nga gjithsej 928 biletave të blera nga Ministria e Punëve të Jashtme, 147 prej tyre janë të klasave më të larta se klasa ekonomike.
Në to çmimi për një bilete në klasën Premium Ekonomike është paguar 792 euro, ndërsa në klasën biznes 2 mijë e 111, apo edhe 2 mijë e 800 euro.
Sipas raportit ndryshimi në çmim sillet prej afër 2 mijë e 200 euro deri në 4 mijë e 800 euro për një biletë.
Ka raste edhe kur 5 mijë e 465 euro kanë shkuar për biletë që nuk është shfrytëzuar fare.
Raporti gjen edhe sesi te Policia e Kosovës, për udhëtimin Prishtinë – Pekin (Kinë) për klasë ekonomike ishin paguar 1 mijë e 523 euro derisa për udhëtimin në klasën biznes, në të njëjtën datë dhe destinacion, ishte paguar biletë edhe 3 mijë e 623 euro.