Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet në Maqedoni të Veriut, s’i pengon askujt
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thënë se “askush nuk është kundër gjuhës shqipe” dhe se “është një temë që po tentohet të imponohet”.
Ai në një intervistë për “Prime” në RTK, ka folur për Ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut. Ai ka thënë se nuk po rrezikohet gjuha shqipe në Maqedoni të Verout.
“Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk është kundër. Kjo është një temë artificiale. Është një temë që po mundohen ta imponojnë. Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk i pengon, kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po këto hije nga e kaluara se nuk kanë temë tjetër, më besoni”, deklaroi Mickoski.
Ai tha se “Ligji për Gjuhët” për pesë vjet ka qëndruar në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe pikërisht tani në qeverisjen e tij kjo temë po kthehet në rend dite.
“Epo, pikërisht kjo është pyetja, se si këta të njëjtit gjyqtarë kushtetues, të votuar nga shumica e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, i kanë mbajtur të gjithë këto në sirtar për 5 vjet dhe tani papritmas kur erdhi një qeveri e re, një qeveri pro-evropiane, një qeveri reformatore, po ata e nxorën në sipërfaqe. Përndryshe nuk e di a njihni antropologjinë për ligjin e gjuhëve, dhe kjo që sot është para Gjykatës Kushtetuese, unë pyeta pak dhe u interesova. Ajo që sot është përpara Gjykatës Kushtetuese janë praktikisht tre nene nga ligji për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me kontestet para gjykatave”, deklaroi kryeministri maqedonas.
Mickoski tha se përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut nuk po rrezikohet. Madje duke folur për një rast specifik, ai theksoi se sa të jetë ai i pari i shtetit “Vallja e Shotës” do të luhet në mes të Shkupit.
“Në Shkup është luajtur edhe Shota edhe Kolo serbe, është luajtur edhe Qyqeku turk dhe vallja e vështirë maqedonase, dhe do të luhen. I tillë është shteti dhe ne jemi të bashkuar në diversitetin, dhe do të vazhdohet të luhet. Deri sa të jem unë kryetar i Qeverisë do të luhet se në atë mënyrë ne afrohemi e jo të ndahemi”, deklaroi ai.
I pyetur për letrën e Ali Ahmetit që i dërgoi atij rreth heqjes së mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Mickoski tha se Ahmeti i kërkoi atij që t’i urdhërojë gjykatësit kushtetues të mos e bëjnë atë.
“Thelbi i letrës së tij është: po të drejtohem Hristijan t’u thuash gjykatësve kushtetues të mos e votojnë këtë që është në rend dite në Gjykatën Kushtetuese. Së pari, nuk i njoh, do e përsëris. Së dyti, ai dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë votuar, nuk i kam votuar unë. Ai ishte deputet në Parlament dhe ai i ka votuar. Si mundem unë t’u them gjykatësve kushtetues të cilët nuk i njoh fizikisht”, tha ai.