Mësuesit serbë – agjentë të idesë serbomadhe
Gjatë shekullit XIX, Kosova e sotshme nga ana etnike dhe fetare përfaqësonte një provincë multietnike dhe multikonfesionale. Përveç shqiptarëve myslimanë dhe katolikë – që ishin pjesa dërrmuese e popullatës – aty jetonte edhe komuniteti pakicë i serbëve ortodoksë që hynte nën autoritetin e patriarkut ikumenik rum dhe deri në fillim të shekullit XIX pothuajse e gjithë jeta fetare dhe kulturore e serbëve sillej për dhe rreth manastireve.
Deri në këtë kohë pra, edhe jeta arsimore e serbëve në Kosovë ka qenë me karakteristika thjesht kishtare: ajo është zhvilluar në institucione kishtare dhe organizata fetare, të cilat kanë punuar në lokalet e manastireve ose pranë tyre, kanë përgatitur priftërinj dhe kallogjerë, ndaj deri atëherë nuk kishte interesim për hapjen dhe veprimtarinë e shkollave me karakter tjetër.
Mirëpo, kjo gjendje zgjati deri në periudhën e Tanzimatit, kur fëmijët serbë ortodoksë u nxorën nga shkollat klerikale të manastireve në shkolla publike, të cilat filluan të hapeshin gjithandej Kosovës ku kishte pjesëtarë të këtij komuniteti, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo sepse, pas Tanzimatit dhe sidomos pas vitit 1856, komunitetit serb në Kosovë i ishte njohur e drejta që të hapte shkollat e veta publike, të tipit jashtë manastireve. Për më tepër, shteti osman kishte lejuar që financimi i këtyre shkollave të bëhej edhe nga fuqitë e jashtme, në këtë rast nga Serbia dhe nga Rusia. /FaktePlus