Messi zgjidhet lojtari më i mirë i javës nga UEFA, për herë të katërt
Pas paraqitjes mbresëlënëse në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kundër Manchester Unitedit, Lionel Messi është shpërblyer me çmimin e lojtarit më të mirë të javës nga UEFA.
Me dy golat e shënuara në Camp Nou të martën, Lionel Messi e ndihmoi Barcelonën ta eliminojë Manchester Unitedin nga Liga e Kampionëve dhe ta sigurojë një vend në kuadër të gjysmëfinaleve, ku tani do të përballen me Liverpoolin, raporton Gazeta Express.
Këta dy gola, por edhe paraqitja e tij në përgjithësi në atë ndeshje, bëjnë që Messi të shpërblehet nga faqja zyrtare e Ligës së Kampionëve të UEFA-s me çmimin për lojtarin më të mirë të javës.
Për ta fituar këtë çmim, Messi e mposhti Heung-Min Sonin e Tottenhamit, Roberto Firmino e Liverpoolit dhe Matthijs de Ligtin e Ajaxit. Kjo është hera e katërt këtë sezon që argjentinasi e fiton këtë çmim.
“Isha më fat që (goli i parë) përfundoi në rrjet, në të dytin isha më me shumë fat. Ama me rëndësi është se ne e arritëm qëllimin për ta kaluar çerekfinalen, të cilën nuk e kemi bërë për një kohë të gjatë”, shtoi Messi.