Mësohet se nga erdhi koronavirusi në Suharekë, në mesin e të infektuarve edhe një 11-vjeçar
Nga 377 të infektuar me koronavirus, 12 janë vetëm nga Komuna e Suharekës.
Në tërë Kosovën sipas Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike deri më tani janë 377 persona të prekur me koronavirus.
Vetëm në Komunën e Suharekës janë 12 persona të prekur me koronavirus, me ç’rast tani kjo komunë edhe është futur në karantinë.
I pari i Suharekës ka bërë të ditur se në mesin e 12 të prekurve me koronavirus është edhe një fëmijë i moshës 11-vjeçare.
“Dje kemi pasur 32 mostra, prej tyre dolën nëntë pozitivë. Pardje kemi pasur gjashtë mostra në QMF të cilët që të gjithë kanë dalë negativë. Mirëpo, momentalisht në Suharekë gjendja është e qetë. Kam komunikuar me të gjitha familjet që janë në karantinë janë të izoluar. Në Dobërdolan nuk kemi për fat të mirë, në Semetisht kemi katër persona por është edhe një familje një motër e tyre që është aty me tre anëtarë rrinë aty, do me thënë shtatë edhe i kemi dy persona në fshatin Vraniq. Është interesant që në komunën e Suharekës mostrat që janë marrë dje prej nëntë personave katër janë të moshës së re, duke filluar 11-vjeçar, 13, 17, 22 dhe 25 kemi më pas me 60-vjeçar, 61 edhe kemi një të moshuar me 81 vjet. Mirëpo në moment që dalin me rezultat pozitiv i merr në mbikëqyrje Instituti. Ne si komunë e kemi bërë dezinfektimin e oborreve dhe të shtëpive të tyre. Kemi shpërndarë pako ushqimore për ato familje që kanë nevojë, doreza, maska dhe dezinfektues”, theksoi Muharremaj.
Muharremaj në këtë intervistë dhënë për lajmi.net, ka thënë se, koronavirusi në Suharekë ka ardhur nga Zvicra dhe nga Malisheva.
“Shiko, rasti i parë që ka ndodhur me koronavirus në Suharekë më duket se i ka një muaj ka ardhur prej një qytetari të Korishës i cili ka jetuar dhe punuar në Zvicër. Rasti i dytë na ka ardhur prej Banjës së Malishevës në Bllacë. Do me thënë edhe dy raste i kemi për shkak të komunës së Malishevës. Rasti që ka ndodhur në Semetisht, ne edhe më tutje s’kemi mundur ta bëjmë identifikimin se nga ka ardhur por këto shënime i merr instituti apo edhe policia. Mirëpo, qëllimi jonë është që ta këpusim zinxhirin dhe të vazhdojmë më tutje”, tregoi Muharremaj.
Por sa i përket masave të reja për kufizimin e lëvizjes që ka marrë Ministria e Shëndetësisë e që priten të hyjnë në fuqi më 15 prill, Muharremaj ka thënë se nuk është kontaktuar nga asnjë përfaqësues i MSH-së për këtë vendim.
“Ne jemi dakorduar dhe kemi qenë në bisedime para javës me ministrin si Asociacion i Komunave dhe ne kemi biseduar vazhdimisht dhe kemi qenë në bisedime, por për herën e fundit më duhet ta pranojë që ne kryetar komunash, unë si kryetar i Komunës së Suharekës s’jam këshilluar për masat shtesë që janë marrë dje. Jemi këshilluar na ka pyetur për karantinë para tri dite dhe ne kemi pranuar që të hyjmë në karantinë. Mirëpo, për masat që janë marrë dje unë do të them në mënyrë publike s’kam qenë i konsultuar”, ka thënë Muharremaj .
Sipas tij, ky vendim ka sjellë konfuzion te qytetarët e sidomos te bujqit dhe bizneset.
“Dje është shkelur për herë të dytë kushtetuta. Mirëpo edhe një herë po them, kur janë vendime që janë në interes të qytetarëve, ta ruajmë shëndetin e qytetarëve ne do të mundohemi ti zbatojmë për të mirën e qytetarëve. Nuk po flas në aspektin politik. Mirëpo vendimet që i kanë marrë dje nuk e di se si do të zbatohen pasi që disa fshatra në Suharekë merren me bujqësi, prodhimet tash janë finale dhe paramendoni kanë punuar 5-6 muaj dhe ku ti çojmë ato prodhime. Në vend të dytë kemi firma të Suharekës që merren me biznese që punojmë”, tha ndër të tjerash ai.