Mësohet se kur do të dalin rezultatet e autopsisë së 39 vjeçares nga Istogu
Sot është rivarrosur trupi i gruas nga fshati Lluga i komunës së Istogut vetëm një ditë pasi ajo u zhvarros me kërkesen e familjareve të saj, pasi ata dyshonin se vdekja e 39-vjeçares nuk erdhi si pasojë nga Covid-19.
Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj.
Ai ka thënë se ende nuk dihen rezultatet e autopsisë, shkruan Insajderi.
“Po, është rivarrosur. Ne nuk i kemi ende rezultatet e autopsisë. Jemi duke i pritur akoma”, ka thënë Osmanaj.
Gjatë ditës së djeshme për Gazetën Insajderi, ishte deklaruar edhe vëllai i së ndjerës, Safet Salihu.
Ai ka thënë se është i bindur 100% se motra e tij nuk ka qenë e infektuar me koronavirus.
Fajtorë dhe përgjegjës për vdekjen e motrës së tij Salihu thotë se janë mjekët, teksa thekson faktet që sipas tij tregojnë që motra ska qenë e prekur me koronavirus.
Salihu shpjegon pse kanë kërkuar zhvarrimin e trupit të saj.
“Jo 99% por 1 milion përqind nuk ka pasur koronavirus, por ka shku në Prishtinë në gjendje kritike, mjekët i kanë fsheh letrat dhe kanë thënë është me koronavirus, neve astenjo sna ka prek që kemi qëndru me to, as motra në Prishtinë, as mjeku i Mitrovicës që janë kujdes për to, që ia kanë marrë gjakun, ai ka prekur shpricat asnjëri, asnjëri nga ne nuk është infektuar”, ka thënë Salihu
Salihu, ka potencuar se motra e tij asnjëherë nuk ka qenë e sëmurë dhe se vdekjen ia sollën mjekët, fillimisht nga Spitali i Pejës e pastaj në QKUK.
Për këtë rast ka pyetur edhe drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjorëe, Arsim Gërxhaliun se kur pritet të dalin rezultatet përfundimtare të autopsisë, mirëpo ky I fundit nuk ka dashur të deklarohet, duke thënë se për këtë ti drejtohemi prokurores së rastit, Valbona Haxhosaj.
“Ne rezultatet juve nuk ju japim, po ja japim prokurorit. Kështu që ju i drejtoheni prokurores së rastitt Valbona Haxhosaj ajo është përgjegjëse që mund të flet”, ka thënë Gërxhaliu.
Prokurorja Valbona Haxhosaj, për Insajderin ka thënë se rezulatatet e autposisë së 39 vjeçares nga Komuna e Istogut, pritet të dalin pas dy jave.
“Rezultat pritet të dalin pas dy jave”, ka thënë Haxhosaj.
Pa dashur, të jep më shumë detaj, Haxhosaj ka deklaruar se janë duke pritur kompletimin e analizave dhe do të dalin me rezultat konkret.
“Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk na ka thënë asgjë, ne presim me u kompletu analizat edhe në fund të dalim me një rezultat konkret. Për këtë nuk mundem asnjë konkluzion me dhënë”, ka thënë Haxhosaj.
39-vjeçarja nga fshati Lluga i Istogut, e cila kishte edhe sëmundje tjera përcjellëse ishte operuar në QKUK, e më pas ishte diagnostikuar me virusin COVID-19.
Për rastin e 39 vjeçares stafi i Spitalit të Pejës tashmë po hetohet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Prokuroria në Pejë ka nisur hetimet ndaj stafit mjekësor të Spitalit Rajonal të Pejës, për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Këtë e ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme për Insajderin, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Prokurorja e rastit e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të stafit të Spitalit Rajonal të Pejës për veprën penale ‘Trajtim i Pandërgjegjshëm Mjekësor’”, ka thënë Nikçi.