Mësohet mosha dhe komunat nga janë dy të vdekurit e fundit në Kosovë
Tashmë është konfirmuar se kanë vdekur edhe 2 persona të prekur nga COVID-19 në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar Klinika Infektive, e cila përmes një kumtese për media ka dhënë disa detaje për viktimat e fundit.
Sipas njoftimit, rasti i parë i vdekjes ka ndodhur dje, më 1 korrik dhe i vdekur është pacienti F.G i moshës 71-vjeçare nga Prishtina, i cili përveç me diagnozën COVID-19 kishte edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Ndërsa bazuar në njoftimin e Klinikës Infektive sot më 2 korrik në mëngjes ka vdekur edhe pacienti F.M i moshës 83-vjeçare nga Mitrovica, i cili po ashtu ishte me sëmundje tjera shoqëruese.
Mes tjerash Klinika Infektive njofton se të hospitalizuar sot gjenden 114 raste pozitive.
Por asnjë sqarim nuk është dhënë nga Klinika Infektive për numrin e përgjithshëm të vdekjeve, derisa, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka njoftuar se janë gjithsej 54 të vdekur nga Covid-19.
Kështu me dy viktimat e fundit, numri shkon në 56 të vdekur në Kosovë./FaktePlus