Mësimi tërë ditor, projekti që nuk po realizohet
Adelinë Sahiti
Me pompozitet të madh e me shumë mburrje nga institucione lokale e qendrore ishte promovuar mbajtja e mësimit tërë ditor, projekt ky që vetëm sa nisi dhe tani është duke dështuar. Edhe në tri shkollat e Prishtinës ku kishte filluar është anuluar dhe nuk dihet saktësisht se kur do të realizohet.
Ishte tetori i viti 2015 kur tri shkollat e kryeqytetit, “Faik Konica”, “Afrim Gashi” dhe shkolla “Qamil Batalli”, kishin filluar mbajtjen e mësimit tërë ditor, dhe aso kohe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e deklaronte këtë si një të arritur të madhe që po ndodh nën udhëheqjen e tij.
Madje, Ahmeti në zgjedhjet e fundit mësimin tërë ditor për gjithë shkollat në Prishtinë, e vendosi si zotimin e 66 në mesin e 100 zotimeve që bëri gjatë garës për të fituar karrigen e të parit në komunën e Prishtinës.
Por që ky projekt tashmë nuk është duke u jetësuar e pohojnë si nga Komuna e Prishtinës, ashtu edhe nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Këshilltari i ministrit, Valmir Gashi ka treguar për FaktePlus se ndonëse janë disa shkolla të gatshme për të punuar në një ndërrim, ende duhen investime në infrastrukturën përcjellëse.
“Në lidhje me mësimin tërë ditor, janë disa shkolla të gatshme për të punuar vetëm me një ndërrim, por ato shkolla kanë nevojë për investim në infrastrukturë përcjellëse për zhvillimin e mësimit tërë ditor. Mirëpo për arsye që këtë vit buxheti nuk është rishikuar fare, ne e kemi pasur të pamundur për të bërë diçka për këtë vit”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, mësimi tërë ditor është një projekt i rëndësishëm prandaj edhe e kanë inkuadruar në mesin e projekteve që presin të marrin mbështetje financiare nga Komisioni Evropian dhe institucione të tjera financiare të BE-së.
“Mësimi tërë ditor është një proces i rëndësishëm, me të cilin jemi marrë vazhdimisht dhe këtë e kemi futur në kuadër të raundit të 20 të projekteve Infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor, pra në kuadër investimeve të ËBIF (Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor)”, theksoi Gashi.
Kurse drejtori aktual për Arsim i Komunës së Prishtinës, Jonuz Salihu thotë se edhe në tri shkollat ku kishte nisur mbajtja e mësimit tërë ditor tani është ndërprerë për shkak se nuk ka hapësirë të mjaftueshme.
“Mësimi gjithëditor nuk është duke u mbajtur, kjo me rekomandimin e Ministrisë së Arsimit që nuk janë krijuar kushtet për mësim gjithë ditor. Kjo për arsye se në Prishtinë mësimi zhvillohet në dy ndërrime dhe është e pamundur me e realizu. Kështu që kemi pasur edhe mirëkuptimin e ministrisë dhe këtë vit nuk mund të bëjmë asgjë”, është shprehur Salihu.
Përkundër kësaj drejtori i Arsimit në Prishtinë, thekson se përpjekjet do të jenë maksimale që të krijohen hapësirat e nevojshme, në mënyrë që të gjithë nxënësit të jenë në një ndërrim e pastaj të fillojë edhe procesi i mësimit tërë ditor.
MASHT në një prezantim të bërë në fund të vitit të kaluar kishte prezantuar synimet që këtë vit të fillohet mësimi tërë ditor në ato shkolla që ka kushte. Sipas identifikimit të kësaj ministrie, vendit i duhen të ndërtohen edhe 142 objekte shkollore dhe 85 anekse, prej tyre shkolla fillore, shkolla të mesme të larta dhe salla të edukatës fizike që është 218 në tërë Kosovë, ndërsa vlera investive e të gjitha këtyre është rreth 371 milionë euro.
Sipas njohësve të arsimit mësimi gjithë ditor do të lehtësonte në masë të madhe procesin edukativo-arsimor dhe njëkohësisht do të ndikojë në cilësinë e mësimdhënies e nxënies./FaktePlus