Mësim online edhe për shkollat e mesme të larta fillon nga java e ardhshme
Mësimi online javën e ardhshme pritet të fillojë edhe për shkollat e mesme të larta në Kosovë. Krahas kësaj do të zgjerohet edhe lista e lëndëve për klasat e shkollave fillore. Ndërsa, po bëhen përgatitjet edhe për vlerësimin virtual, por që pritet të hasë në vështirësi.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami, në një konferencë për media deklaroi se të gjitha materialet dhe përmbajtjet e mësimit në distancë do të jenë të hapura, por ato nuk mund të modifikohen dhe të përdoren për qëllime përfituese.
“Jemi duke punuar. Kemi projekte që implementohen nga donatorë të ndryshëm. Pjesa e ‘E-ditarit’ është projekt i Bankës Botërore. Po diskutojmë edhe me donatorë të ndryshëm se si ta implementojmë. Nuk mund të them se është komplet e mundshme për shkak se jo të gjith ë mësimdhënësit i kemi të pajisur me kompjuterë. Jo të gjithë i kemi të trajnuar me ‘E-ditarit’ është një numër i kufizuar i mësimdhënësve në Kosovë që kanë pas përgatitje”, u shpreh ajo, raporton KosovaPress.
Zëvendësministri Jusuf Thaçi tha se janë duke bërë prodhime masive të video-ligjëratave, afërsisht 50 në ditë, të cilat do të publikohen në RTK dhe YouTube.
Për cilësinë e ligjëratave, Thaçi tha se mund të ketë edhe gabime, për të cilat u shpreh se janë të pamundur të rikthehen në ri-xhirim.
“Ministria është duke punuar në dy fronte. E para është duke prodhuar materiale mësimore vetë të cilat është duke i plasuar te publiku përmes RTK-së dhe kanalit zyrtar në YouTube. Këto janë dy burimet që ministria i plason te publiku materialet mësimore që është duke i prodhuar… Jemi duke bërë prodhim masiv të video-ligjëratave. Afërsisht 50 të t illa në ditë që nënkupton se është duke bërë një punë e madhe, masive”, tha ai.
Ndërsa, zëvendësministri tjetër, Xhavit Rexhaj tha se kanë formuar një grup punues për të nisur mësimin edhe në shkollat e mesme të larta, të cilat kanë bazën e duhur teknologjike.
“Shkollat që janë në gjendje të fillojnë që e kanë bazën teknologjike besoj që mund të fillojnë. Të tjerat do të shohim mënyra për ata që s’mund të fillojnë. Do të shohim mënyra që në formën e centralizuar të sigurojmë shërbimet arsimore për aq sa mundemi në këto kushte”, tha ai.
Më 13 mars në Kosovë është pezulluar përkohësisht procesi mësimor për shkak të pandemisë COVID 19.