Mërgimtarët pa test PCR duhet të vetkarantinohen, por si do të votojnë?
Të dielen mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe është hera e parë që po mbahen në kushte pandemike.
Mirëpo COVID-19 nuk i pengoi mërgimtarët që të nisen për në Kosovë. Vetëm sot pritet të aterojnë 29 fluturime nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ndërsa dje ateruan 15 fluturime.
FaktePlus ka kontaktuar me zëdhënësen e ANP-së, Valentina Gara, e cila ka thënë që në aeroport po zbatohen rekomandimet e IKSHPK-së.
“Ne jemi duke zbatuar masat konform vendimeve të Qeverisë dhe rekomandimeve të IKSHPK-së siç kemi bërë deri tani.”, ka thënë Gara.
Mirëpo një vendim i 25 shtatorit të vitit të kaluar, i cili u përsërit dje, thotë se qytetarët që hyjnë në Kosovë nga shtetet me rrezik të lartë, duhet të kenë testin PCR me rezultat negativ.
FaktePlus ka dërguar pyetje në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, mirëpo deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Por, burime të FaktePlus thonë që mërgimtarët që vijnë në Kosovë e s’kanë test negativ duhet të vetkarantinohen për shtatë ditë.
“Udhëtarët që vijnë në Kosovë e nuk kanë test PCR duhet të vetkarantinohen për shtatë ditë. Mirëpo ata e kanë edhe mundësinë që ta bëjnë testin në Kosovë dhe të lëvizin lirshëm.”, ka thënë ky burim.
Lexues që jetojnë jashtë kufijve të Kosovës kanë thënë që nuk po iu lejohet të nisen për në Kosovë pa e bërë testin.
Por se si do të votojnë mërgimtarët e vetkarantinuar KQZ nuk ka dhënë detaje.
Mirëpo zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar procedurën e votimit për rastet aktive në Kosovë.
Ai ka thënë që KQZ gjatë ditës së diel, do të angazhojë gjithsej 104 ekipe mobile, pra të cilat do të dalin në terren, do të shkojnë në adresat e qytetarëve me të drejtë vote, por të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së diel, do të angazhojë gjithsej 104 ekipe mobile, pra të cilat do të dalin në terren, do të shkojnë në adresat e qytetarëve me të drejtë vote, por të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19 dhe që nuk do të mund të shkojnë në vendvotimin e tyre për shkak të masës kufizuese, sepse pra duhet të qëndrojnë në karantinë shtëpiake. Pra, janë gjithsej 104 ekipe lëvizëse që do të shkojnë nga njëra adresë në tjetrën dhe secila prej tyre përbëhet nga 4 anëtarë”, ka thënë ai.
Shtetet që prijnë me numër të madh të udhëtarëve këto ditë janë Zvicra dhe Gjermania.
“Zvicra dhe Gjermani janë dy shtetet të cilat prijnë me numër të madh të udhëtarëve gjatë tërë vitit, e poashtu një trend i tillë vazhdon të jetë edhe sot e nesër”.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit, 28 subjekte politike garojnë për 120 ulëse të Kuvendit të Kosovës, kështu duke e zgjedhur kryeparlamentarin, kryeministrin dhe presidentin./FaktePlus/