Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës për pushime, kjo është gjendja në pikat kufitare
Bashkatdhetarë të shumtë të cilët jetojnë dhe veprojnë në vende të ndryshme të Evropës, kanë nisur të vijnë për pushimet e verës në vendlindjen e tyre, Kosovë.
Sipas të dhënave të publikuara së fundi nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në pikat kufitare nuk raportohet për kolona dhe hyrja në Kosovë mund të bëhet nga tre deri në pesë minuta.
Po ashtu nga data 1 korrik ka nisur edhe subvencionimi i policës kufitare për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë.
Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri një muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe është e vlefshme vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
Subvencionimi nuk përfshin policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij një mujor, dhe as automjetet si autobusët, kamionët, motoçikletat etj.
Policat e sigurimit të marra në zyrat e BKS brenda territorit të Kosovës, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.