Menaxhimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë, flet ish-ministri i Shëndetësisë
Janë bërë gati 4 muaj prej kur qytetarët e Republikës së Kosovës ashtu edhe si shumica e vendeve të botës, janë duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19, një virus ky ende i panjohur.
Deri më tani janë konfirmuar 1437 raste pozitive, ndërsa janë shëruar 928 persona, e janë shënuar 33 viktima, shumica prej tyre me sëmundje të tjera shoqëruese.
Ishte qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e cila ia barti kompetencat ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, asaj që i ra hise të përballet fillimisht me këtë virus, duke vënë edhe masa nga më rigorozet deri tek ato lehtësuese, që hyn në në fuqi nga data 1 Qershor, në kuadër të Fazës së III-të.
Ndërsa që nga data 4 Qershor, qeveria e re, në krye me Avdullah Hotin, e ka marrë në dorë situatën, ku shfuqizoi edhe disa nga vendimet e qeverisjes së kaluar, saktësisht atë të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe kalimin e shtetasve shqiptar në territorin e Kosovës pa vetëizolim apo test të kryer.
Duke folur rreth situatën aktuale sa i përket kësaj pandemie, ku patëm edhe rritje të numrit të rasteve, vetëm mbrëmë 53 të infektuar, Ministri i parë i Shëndetësisë nga LDK, Alush Gashi, ka thënë për IndeksOnline se është një fillim me shumë të panjohura. Derisa i njëjti thotë se për të dhënë një vlerësim për menaxhimin e situatës nga qeveria Kurti, duhet një analizë e gjithanshme.
“Është fillimi i një normalizimi të ri më shumë të panjohura. Falënderoj punëtoret shëndetësor për shërbim gjatë pandemie. Nuk është lehtë të jesh në balle të një pandemie më shumë të panjohura lidhur më virus, mungesë të terapisë specifike dhe mungesë vaksine. Kështu ishte kudo në botë, ashtu ishte edhe në Kosovë.
Fatmirësisht në vendin tonë ekziston njohuri e akumuluar për shëndetin publik. Aq sa jam në dijeni është bërë përpjekje që më kohë të zbatohen vendimet/rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante.
Për të dhënë një vlerësim, duhet analizë e gjithanshme, andaj mos pritini nga unë një gjë të tillë. Sa jam në dijeni atë do ta bëje Kuvendi i Republikës së Kosovës më mekanizmat e vetë.
Në fillim të pandemisë kam bërë ftesë publike që të respektohen vendimet/detyrimet që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë, gjë që e përsërisë edhe më këtë rast. Të mbahen maskat, ruhet distanca, ajrosen hapësirat dhe të evitohen sa më shumë që të jetë e mundur qëndrimi në hapësira të mbyllura më shumë njerëz”, thotë ish-ministri Gashi.
Sa i përket vendimit të qeverisë Hoti, saktësisht nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, për hyrjen e qytetarëve nga Shqipëria pa ndonjë kufizim, Gashi thotë se kjo është bërë sipas rekomandimeve nga institucionet e specializuara.
“Është bërë e ditur së vendimet janë marr sipas rekomandimeve të institucioneve te specializuara vendore dhe ndërkombëtare, si përpjekje për normalizim”.
Ndërsa për rritjen e numrit të rasteve ditëve të fundit, ai shprehet se ekspertët vendor dhe ndërkombëtar e presin një gjë të tillë.
“Po ashtu ekspertet vendor dhe ndërkombëtar rekomandojnë që të respektohen vendimet e institucioneve shëndetësore. Është e domosdoshme që vendi të përgatitet, sikur të këtë kthim të pandemisë”, përfundon Gashi.
Kujtojmë që kryeministri Avdullah Hoti, në paraqitjen e fundit për media, tha se e kanë nën kontroll situatën, derisa ka apeluar qytetarët që të respektojnë masat e rekomanduara për distancë sociale e bartjen e maskave, në të kundërtën sipas tij do të kemi rikthim të gjendjes./