Mehmet Kraja, trego qysh ia shite shpirtin djallit
Shkruan Sali BYTYÇI
Mehmet Kraja, ligjëratë morale nga Selia e Imoralitetit
Mehmet Kraja rri rri dhe…
Mehmet Kraja rri rri…, dhe i vë pikat mbi i. Ndërsa ne, që rrimë e presim kur do t’i vërë pikat mbi i Mehmeti, vetëm duhet të pajtohemi me të, asgjë tjetër. Të pajtohemi e të mbetemi gojëhapur me dijen e lartë që ka, me etikën e lartë që ka, me parimësinë e lartë që ka! Po ne çfarë kemi? Asgjë. Kot jemi, kot rrojmë, qëllimi i jetës sonë është të pajtohemi me të.
Po në emër të kujt flet Mehmet Kraja në opinionin që po e shqyrtojmë? Ai flet në emër të të fyerve dhe të poshtëruarve: flet për korrupsionin intelektual; flet për mashtrimin; flet me urrejtje të madhe për të gjithë ata që ua nëpërkëmbin shpresat dhe idealet të rinjve; flet për mungesën e vlerave, për shthurjen institucionale; për ata që iu kanë vërsulur tani atyre dy metelikëve të buxhetit të varfër të kulturës në Kosovë, duke ua marrë bukën e gojës atyre që bëjnë kulturë të vërtetë; për “zhgjyrimin kulturor dhe politik” që del në sipërfaqe edhe me shtatoren ose bustin e Anton Çettës; për Institutin Albanologjik që dikur ishte simbol, por që shumë vjet e këndej është i pushtuar nga ca shkencëtarë minorë dhe makiavelistë; për këtë institut, po edhe Institutin e Historisë, të cilët me punën që bëjnë që nja njëzet vjet e këndej nuk nderojnë më askënd: “as Ali Hadrin pak më lart, as Anton Çettën apo Rexhep Qosjen pak më poshtë”; për politizimin e çdo institucioni, jo vetëm të Institutit Albanologjik, por edhe të Bibliotekës Kombëtare, edhe të Universitetit, madje edhe për fijet e barit që janë politizuar në hapësirën e gjelbëruar përreth tij. Sipas Mehmetit, të politizuara janë të gjithë institucionet e kulturës, të tilla kanë qenë dhe, mbase, do të jenë edhe për një kohë të gjatë, si Tetari Kombëtar (derisa të mos vendosin ta rrënojnë një ditë, si në Tiranë), si Galeria, si Qendra Kinematografike, si Muzeu etj., të gjitha, pa asnjë përjashtim. Për ta përmbyllur opinionin me konkluzionin: Vetëm diktatorëve iu caktohet vendi i përmendoreve para se të vdesin; me shkrimtarë nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë!
Dhe qëllimi i këtij opinioni, i cili në fillim të befason, po më shumë se dy të tretat e tij të zhgënjejnë, zbulohet në fund, pra stigmatizimi i atij që iu paska caktuar për së gjalli vendi i përmendores! Të gjitha të tjerat janë fjalë të thëna e të stërthëna çdo ditë në hapësirën tonë.
Me pak fjalë, Mehmeti krejt zi sheh dhe zi është… për këtë pajtohemi të gjithë. Nga pikëvështrimi i tij çdo gjë është zi në Republikën tonë! Po gjersa krijon Hartën e Zezë të Republikës së Kosovës, në këtë hartë mungon vetëm një pikë e bardhë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës!
Mos ndoshta, ngaqë është e bardhë Akademia, nuk shihet kjo pikë në fushën e zezë?! Sigurisht që kjo do të ketë qenë arsyeja që në këtë hartë të Zezë nuk gjendet Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës!
Mehmet Kraja, ndërsa flet gjerë e gjatë për krejt Republikën e Kosovës, asgjë nuk flet për vendin prej të cilit e hedh vështrimin mbi këtë republikë! Për atë nuk na thotë gjë, ndërsa ne vetëm mund të imagjinojmë si është ai vend: krejt dritë, dritë që t’i verbon sytë! Megjithëse është me rrezik hedhja e pikëvështrimit tonë nga vendi ku pikëvështron Mehmet Kraja, ne do t’i hyjmë këtij rreziku, do të shohim atë vend dhe do t’ia bëjmë disa pyetje të madhit Mehmet.
Mehmet Kraja bën përgjithësime, ashtu siç u ka hije njerëzve të lartë, ndërkaq unë flas për gjëra të përveçme, siç edhe bëjnë njerëzit e vegjël!
Edhe pse pyetjet do të mbeten pa përgjigje, se ai nuk denjon të përgjigjet, ne prapëseprapë do t’ia bëjmë pyetjet. Do të përpiqemi që çdo pyetje të jetë sa më konkrete, e shoqëruar gjithnjë me fakte, me emra, me “vepra” etj.
Ndër të tjera, do ta pyes:
Për korrupsionin intelektual në akademi
1: Ribotimet
Në rregulloren e Akademisë, në nenin 20, pika 1 dhe dy, shkruan: 1. Akademia nuk i boton dorëshkrimet që janë botuar në tërësi te një botues tjetër, përveç prezantimeve në projekte të veçanta. 2. Dorëshkrimet e reja nuk merren në konsideratë për botim nëse më parë janë botuar më shumë se 25% e tekstit të dorëshkrimit. (RREGULLORE PËR VEPRIMTARINË BOTUESE TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS, Në Prishtinë, më 21 mars 2017 Nr. Ref.: 266/2).
Po kjo akademi vazhdimisht e ka shkelur këtë nen, sepse Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka ribotuar:
- Librin e Ali Aliut “Don Kishoti te shqiptarët” (2005), me 228 faqe. Ky libër së pari është botuar maqedonisht. Ja çfarë shkruan Ali Aliu në fjalën hyrëse të këtij libri: “Me një sinqeritet dhe qëllim të mirë kjo vepër së pari i është ofruar lexuesit maqedonas…”; tri faqe më tej: “Dhe më në fund do të doja t’ia zbuloja lexuesit maqedonas një fshehtësi të sinqertë. Ky libër, me këtë përfytyrim dhe projektim, për herë të parë si integrum, po paraqitet para lexuesit maqedonas” (10). Kështu shkruan në botimin e Akademisë, Prishtinë Është ribotuar nga Akademia në vitin 2005; po në të njëjtin vit ky libër, “Don Kishoti te shqiptarët” është botuar në kompletin e veprave të Ali Aliut në Shkup, nga shtëpia botuese “Serembe”, Shkup 2005, në vëllimin e tretë. Po edhe pse Ali Aliu në fjalën hyrëse thotë se ky libër së pari i është ofruar lexuesit maqedonas, në biografinë e tij shkruan se libri “Don Kishoti te shqiptarët” është botuar nga “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1996;
- Libri i Sabri Hamitit, “Studimet letrare” (2003), me 744 faqe, përbëhet nga shkrime që kanë qenë të botuara më parë në libra të veçantë nga “Rilindja”, po janë ribotuar këtu;
- Libri i Ibrahim Rugovës, ”Kritika” (2007), me 598 faqe, është ribotim, përmbledhje të librave të botuara më parë;
- Veprat poetike të Esad Mekulit, Enver Gjerqekut (2 libra me poezi!), Ali Podrimjes, Besim Bokshit, Eqrem Bashës, pastaj edhe të Fatos Arapit etj., kanë qenë të botuara e të ribotuara, po janë ribotuar edhe nga akademia;
- Kompleti i veprave të Ali Podrimjes, në dhjetë vëllime (2013), është ribotim komplet, ndërkaq një libër, vëllimi VI, është ribotim i botimit me poezi të zgjedhura nga “Toena” e Tiranës, me përzgjedhësin Bashkim Kuçuku.
Ky vëllimi i veprave të Ali Podrimjes (i gjashti), që është i njëjti me librin me poezi të zgjedhura nga Bashkim Kuçuku (“Toena”, Tiranë, 2002), i ka gjithsej 352 faqe. Nga ff. 7-311 janë poezitë, ndërsa nga 311-341 është shkrimi i Bashkim Kuçukut “Shprehja moderne e etnisë”. Letra është cilësore, libri është me kopertina të forta dhe me mbështjellës; madhësia 21.87 tabakë; tirazhi 500 kopje; formati A5 (14.8x21cm);
- Libri “Poezi” i Pjetër Budit (Akademia, Prishtinë 2006), është ribotim nga Budi, “Poezi”, botimi i “Rilindjes”, 1986, i përgatitur nga Rexhep Ismajli;
- Kompleti i veprave te Idriz Ajetit, botuar nga “Rilindja” më 1985, është ribotuar në Akademi më 1998.
Dhe nuk janë vetëm këto.
Librat që i përmenda para se të ribotoheshin nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, janë botuar nga botues të tjerë dhe jo më shumë se 25%, që sipas rregullores së akademisë nuk ribotohet, po 100%. Autorët e tyre për to, disa një herë e disa më shumë se një herë, i kanë marrë një herë honorarët!
Tani kush po i merr edhe ata pak metelikë të dedikuar për kulturën në Republikën e Kosovës? A nuk është kjo Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës?
- Pseudoteoritë dhe pseudomonografitë:
Kjo e ashtuquajtur Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës përveç që riboton, gjë që shkel Rregulloren e saj, boton jo pak edhe pseudoteori dhe pseudomonografi, si dhe tekste të ricikluara nga libri në libër.
Ndër pseudoteoritë dhe pseudomonografitë që i ka botuar kjo akademi është libri i Ali Aliut “Don Kishoti te shqiptarët”. Gjatë leximit, kuptojmë se ky libër, që në të njëjtën kohë është pseudoteori dhe pseudomonografi, është i krijuar nga shkrimet e mëparshme të Ali Aliut, apo nga fjalimet e tij të rastit, në promovime e përvjetorë të ndonjë krijuesi, po që këtu janë të përzgjedhura, ndërsa pjesës më të madhe të tyre autori ua shton vetëm emrin me Don Kishot. Në këtë libër eseistik, për Ali Aliun, të gjithë krijuesit për të cilët shkruan këtu, janë donkishotë, nga De Rada e deri te Xhevahir Spahiu!
Ndërsa pseudoteori dhe pseudomonografi, po edhe riciklime të teksteve të mëparshme, janë librat e Sabri Hamitit: “Tematologjia”, “Albanizmat” dhe “Utopia letrare”.
Kjo akademi boton vepra joshkencore dhe joartistike. I tillë është libri i Rexhep Ferrit, pastaj libri i Besim Bokshit, “Varia”, botim me kopertina të trasha dhe me mbështjellës të bukur, më shumë se gjysma e tij përbëhet nga fjalë përshëndetëse dhe fjalë rasti!
Shumica e këtyre librave që i përmenda janë botuar me bekimin tënd, Mehmet Kraja, duke qenë ti redaktor ose anëtar i redaksisë që i ka botuar!
- Për shkencën dhe artet që bëhen aty
Akademia e Kosovës emërtohet si akademi e “Shkencave dhe e Arteve” dhe, sipas kësaj, gjysma e bujtësve të saj janë shkencëtarë, gjysma artistë! Po sa është e tillë kjo akademi?
Se sa janë këta shkencëtarë dhe sa artistë, shihet kur të analizohen apo edhe kur të shfletohen librat që janë botuar aty.
Pasi jam marrë në raste të tjera më gjatë me “shkencën” që bëhet në këtë Akademi, shkurt do të shqyrtoj librin e fundit të Sabri Hamititi, “Utopia letrare”.
Si tërësi ky libër nuk ka të bëjë fare me shkencën, sikur edhe çdo libër, i botuar para këtij libri nga Sabri Hamiti.
Të hyj sa më shpejt në temë, duke u nisur nga një gjë e thjeshtë, gati e pafajshme, siç është faqja 235, e “Utopisë letrare”, të Sabri Hamitit, pjesa e gjashtë e emërtuar “Xhan”, e kapitullit “Erosi në letërsi”. Para se ta përshkruajmë në tërësi këtë pjesë të shkurtër, bëhet pyetja: Çfarë lidhje ka erosi me “utopinë letrare”?!
Po e shkëpusim një pjesë të vockël nga libri, e cila shumë mirë flet edhe për krejt materien e krejt librit.
“6. Xhan
Përsëri e përherë do të mbetemi të kurthuar në ëndrrën metafizike të Xhani-it (fjala perse), që imagjinon të bashkojë, të lidhë përgjithnjë trupin e shpirtin. Kjo po dihet: si një idealitet, kurse variantet e diskurseve të dashurisë nuk mbeten veçse variante të përpjekjeve e të dhembjeve njerëzore për ndarjen e trupit e të shpirtit.
A nuk e këndoi Dante Beatriçen te Jeta e re nëpërmjet gjuhës shqipe të Koliqit:
Aq e njerzishme e aq’ e hijshme gjanë
Grueja e eme kur gjint ajo përshëndetë…
Tri pika.”
Tani bie fjala, çfarë lidhje ka fjala persiane “xhan” me vargjet e Dante Aligierit për Beatriçen, të përkthyera nga Koliqi? Mos ndoshta fjalën “xhan” të persishtes e gjen te përkthimi i Koliqit, te vargu i parë: “e hijshme gjanë”(?). Fjala “xhan” e persishtes në asnjë variant nuk gjendet në vargjet e Dantes, të përkthyer nga Koliqi, po as nga të tjerët.
Në vazhdim japim edhe dy variante të tjera të përkthimit të këtyre dy vargjeve të Dantes në gjuhën shqipe, nga Arshi Pipa e Mark Ndoja:
Aq fisnike tregohet zonja ime,
Aq e hijshme kur botës i përfalet,
(Përkthimi i Arshi Pipës, në Lyrika evropiane moderne, f. 11)
Të gjanë aq e njerzishme e aq bujare
Kur shkon tuj përshëndetun zonja ime,
(Mark Ndoja, Ferri, Purgatori, Parajsa, në kopertinë të librit)
Sabri Hamiti këtë shkrim të shkurtër, e përfundon me “Tri pika”, që sipas tij përfundon edhe vargu i dytë i poezisë së Dantes për Beatriçen. Po as te Pipa, as te Ndoja, nuk ka tri pika, po presje, sepse ideja e nisur në vargun e parë, shtjellohet pa asnjë retiçencë deri në vargun e katër të kësaj poezie.
Si përfundim, 1. Si e arsyeton autori përdorimin e fjalës perse “xhan”, në këtë pjesë të shkurtër, dhe 2. Çfarë lidhje ka fjala perse “xhan”, me poezinë e Dantes për Beatriçen, pastaj si arsyeton përfundimin e kësaj pjese me “Tri pika”?!
Kur flitet për romanin realist, thuhet se, nëse në fillim të romanit shihet e varur një pushke, në fund të romanit ajo pushkë duhet të kërcasë! Po pushka e Sabriut “xhan”, qëndron si dekor në këtë pjesë të teksti të tij, pa bërë bam fare!
Në fund, është e tepërt të shpjegoj fjalën “gjanë” te përkthimi i Koliqit apo “të gjanë” te përkthimi i Ndojës: “gjanë” d.t.th. “ngjanë”, e cila nuk ka kurrfarë lidhje me fjalën perse “xhan”!
E lëmë se të gjitha të tjerat që i shqipton Sabri Hamiti në tekstin e shkurtër “Xhan” janë në rregull, po si mund t’i këndojë Dante Aligieri Beatriçes te “Jeta e re” me gjuhën e Koliqit?!
T’i kthehemi utopisë letrare.
Cilat janë burimet e imagjinatës utopike shqiptare, sipas Sabri Hamitit: “Kanuni moral i Lekës, Historia e Skënderbeut, malli i kërkimit të gjenezës si ukroni, zbulesa e krishterë, fantazitë hipernatyrale epike, mitologema e qëndresës e rebelimit dhe e lirisë, duken si bërthama të arsyes e të imagjinatës utopike shqiptare” (22). Çfarë lidhje ka Kanuni i Lekës me Historinë e Skënderbeut, po Kanuni dhe Historia e Skënderbeut çfarë lidhje kanë me Zbulesën e krishterë? Zbulesa e krishterë çfarë lidhje ka me “Bagëti e bujqësi” të Naimit? Kështu, mund të bëhen pyetje pa fund, po që mbeten pa përgjigje.
Në këtë libër, me titull “Utopia letrare”, nga faqja 157 deri në faqen 185, është pjesa “III. Shtesa – Biografitë e autorëve”!!! Në këtë pjesë Sabri Hamiti fut biografitë e Tomas Morit, Tomazo Kampanellës, Frensis Bejkënit, Naim Frashërit, Sami Frashërit, At Zef Pllumit, Jevgenij Ivanoviç Zamjatinit, Xhorxh Oruellit, Horhe Luis Borhesit, Anton Pashkut, Ismail Kadaresë dhe Agron Tufës.
Për Anton Pashkun thotë: “Anton Pashku lindi më 8 kallnor të vitit 1937…”; për Ismail Kadarenë thotë: “Ismail Kadare ka lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër”.
Për Anton Pashkun thotë “lindi”, për Kadarenë “ka lindur”; për Anton Pashkun thotë se ka lindur “më 8 kallnor”, për Ismail Kadarenë “më 28 janar”!
Fundi fundit, çfarë duhen biografitë e autorëve në një libër akademik?! Përse Hamiti ka nevojë t’ia tregojë lexuesit “akademik” biografitë e Naim Frashërit, të Sami Frashërit, të Ismail Kadaresë apo të Anton Pashkut?!
Bartjet e teksteve nga libri në libër, deri tek “Utopia letrare”
Sabri Hamiti është i njohur si bartës i teksteve nga teksti në tekst, nga librat e parë e deri tek i fundit. Këtu vetëm po i regjistroj tekstet e librave të mëparshëm që i ka bartur nga librat e tjerë në librin e fundit, “Utopia letrare”.
- Për romanin “Oh” të Anton Pashkut:
Triumfi i inteligjencies (6. Utopia negative) – Sabri Hamiti, Arti i leximit, Prishtinë 1983, f. 28-32;
Triumfi i inteligjencies (6. Utopia negative) – Sabri Hamiti, Vetëdija letrare, Prishtinë 1989, f; 400-404.
Anton Pashku: Oh (1.Utopia negative) – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 123-126.
- Për “Fratin e Pashallarëve” të At Zef Pllumit:
At Zef Pllumi: Frati i Pashallarëve – Sabri Hamiti, At Zef Pllumi, “Albas”, 2013, f. 23-35;
At Zef Pllumi: Frati i Pashallarëve – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 85-95.
- Për shkollën socrealiste:
- Shkolla socrealiste – Sabri Hamiti, Tematologjia, Prishtinë 2005, f. 42-43;
- Shkolla socrealiste – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 195-197.
- Për bioletrën/ideoletrën:
Bioletra/Ideoletra (ideja) – Sabri Hamiti, Bioletra, Prishtinë 2000, f. 38-45;
I.Bioletra/Ideoletra – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 190-195.
- Për mungesën e realizmit në letërsinë shqipe:
2.Pse mungon Realizmi? – Sabri Hamiti, Albanizma, Prishtinë 2006, f. 126-133;
III. Realizmi? – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 197-202;
Janë katër tekste që barten prej librave të tjerë në këtë libër, disa për herë të parë e disa për herë të dytë barten nga libri në libër.
Siç shihet, teksti për romanin “Oh”, i botuar në librin “Arti i leximit”, më 1983, bartet në librin “Vetëdija letrare, (1989), dhe në fund, për të dytën herë, në librin “Utopia letrare”, botim i Akademisë së Shkencave, 2013!
Kur i lexojmë shkrimet e Sabri Hamitit, dhe të tjerëve si ky, në libra të botuar edhe me firmën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nuk mund të mos i bëjmë pyetje vetes, si: çfarë është studimi letrar, është shkrim që i “nxin” faqet pa ndërmjetësimin e logjikës, apo është shkrim që bazën e ka në një logjikë? Nëse studimi letrar është shkrim diskursiv pa ndonjë logjikë, atëherë shkrimet e Sabri Hamitit dhe të sivëllezërve të tij, janë krejt në rregull. Po nëse studimi letrar mbështetet në logjikë, atëherë pas çdo fjalie të shkruar nga Sabri Hamiti dhe sivëllezërit e tij, duhet të vihen shumë pikëpyetje.
Kjo është shkenca që e “prodhon” Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës?!
- Për zgjedhjet në akademi?
Kush e bën propozimin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në akademi?
Në Rregulloren për propozimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të 11 majit 2016, në Nenin 4, thuhet: 1. Seksionet e Akademisë paraqesin propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të rregullt dhe të anëtarëve korrespodentë të Akademisë. 2. Këshillat e fakulteteve të universiteteve publike dhe këshillat shkencorë të instituteve publike, që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, paraqesin propozimet për zgjedhjen e anëtarëve korrespondentë të Akademisë.
Sipas kësaj rregulloreje, del se të parët që kanë të drejtë për propozimin e anëtarëve korrespondentë janë seksionet e Akademisë, pastaj vijnë këshillat e fakulteteve publike dhe të instituteve publike, që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës!! Me të tillë rregullore, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mënyrë krejt demokratike, përzgjidhen ata që do të bëhen anëtarë të kësaj akademie! Pastaj si të mos u bindemi fjalëve të Mehmet Krajës që “Pushteti absolut i injoranteve dhe i të korruptuarve, do të thoshte Sokrati, i vendosur përmes sistemit demokratik, është më i keq se çdo diktaturë”, (Rikthimi i kohëve të errëta, MEHMET KRAJA, GAZETAEXPRESS, e hënë, 16 korrik, 2018 21:00).
Anëtar i kësaj Akademie është Mehmet Kraja, sipas së cilës, në mënyrën më demokratike kanë të drejtë “të tjerët” të propozojnë emra për të hyrë në akademi, po edhe kjo akademi, krejt në mënyrë demokratike, e ka të drejtën e vet të bëjë propozime kush duhet të përzgjidhet, pastaj përmes procedurave më demokratike të mundshme, do të përzgjidhet më i miri!
Sigurisht, sipas kësaj procedure je përzgjedhur edhe ti Mehmet, prandaj gjykon për krejt të këqijat që gjenden jashtë akademisë, por nuk e përmend akademinë fare!
Kështu janë përzgjedhur edhe shumë anëtarë të tjerë, kështu do të përzgjidhen edhe në të ardhmen! Dhe objektiviteti nuk do të mungojë kurrë! Kështu forcohet institucioni më i lartë shkencor dhe kulturor i vendi! Kështu, me të tillë rregullore, në këtë akademi arrijnë të hyjnë njerëz që gjithë jetën e tyre kanë arritur të botojnë një libër të vetëm, të mjerë, siç është Jusuf Bajraktari, ose me vetëm libra mësimorë, edhe disa të tjerë; kështu, me një rregullore të tillë, krejt në mënyrë “demokratike”, arrijnë të hyjnë në këtë akademi njerëz të tillë, të cilët veprën kryesore e kanë për gjuhën e gazetave, dhe një gjysmë libri tjetër, siç është Bardh Rugova; kështu, me një rregullore të tillë, krejt në mënyrë “demokratike”, ama më demokratiken në këtë botë, sepse kanë të drejtë të përzgjedhin edhe “ata” të tjerët, po edhe “ne” kemi të drejtë të përzgjedhim, në këtë akademi arrijnë të hyjnë njerëz të cilët veprën jetësore që kanë arritur ta botojnë është e folmja e rrethit të tyre, siç është Mehmet Halimi!
- Për mungesën e një neni që sanksionon plagjiaturën
Për botimin e librave plagjiaturë në këtë Akademi kam shkruar gjerë e gjatë dhe këtu nuk do të merrem me këtë temë, por vetëm do të shtoj se askund në Rregulloren e Akademisë nuk përmendet plagjiatura, d.t.th. plagjiatura me ligj nuk sanksionohet. Kështu e ka miratuar Kuvendi i Kosovës Ligjin për Akademinë dhe kot është të zgjatemi në këtë pikë. Akademikët i përfitojnë të gjitha privilegjet e parapara me ligj, po për privilegje ata e shkelin edhe ligjin që e kanë krijuar vetë, të cilin pa asnjë ndryshim ua ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, por në rregulloret e punës së tyre nuk ekziston një nen sado i vockël, me të cilin do të sanksionohej plagjiatura. Shkurt, hajnia intelektuale, pasi nuk sanksionohet me ligj, në këtë akademi është e ligjshme!
- Për politizimin e akademisë
Mehmet Kraja thotë se edhe bari përreth universitetit të Prishtinës është i politizuar, po ndërsa flet për barin në oborr të huaj, nuk përmend faktin që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucioni më i politizuar në Kosovë.
Për t’u pranuar në akademi, deri tani, ose është dashur të jesh i LDK-së, apo i ndonjë bishti të LDK-së, ose i Luginës së Preshevës, ose i të dyjave, për të tjerët nuk kishte vend.
Ndërsa deri në kohët e fundit Akademia ishte organ i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i satelitëve të saj, në zgjedhjet e fundit, “me konsensus”, në analogji me krijimin e bordeve, edhe në Akademi filluan të depërtojnë edhe njerëzit e PDK-së. “Kaq unë” e “kaq ti”! Pra jo njerëz të shkencës dhe të arteve, po njerëz të politikës. Tamam pazar!
Më tepër se gjysma e anëtarëve të Akademisë aty kanë hyrë përmes politikës, duke qenë në poste të larta politike!
Të tjerë kanë hyrë duke qenë të Luginës së Preshevës ose që kishin lidhje me Luginën.
A hyhet në akademi me kryevepër gjuhën e gazetave? (Bardh Rugova)
A hyhet në Akademi me një libër për Gjakovën me rrethinë, kur Gjakova ishte vetëm një qytezë? (Jusuf Bajraktari)
A hyhet në Akademi me të folmen e Karadakut? (Mehmet Halimi)
A hyhet në Akademi pa asnjë vepër?
- Për mospranimin e propozimeve në akademi të atyre që i kanë mbushur 65 vjet
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është akademi honorifike, që do të thotë akademi nderuese! Në akademitë honorifike hyjnë njerëz të shquar të një vendi, jo për të bërë shkencë dhe art aty, por si nderim për veprën që kanë bërë. Dhe, sipas kësaj logjike, ata që do të t’i kontribuonin shkencës dhe artit të hynin në akademi si vlerësim për punën e tyre jetësore, pasi u akomodua brezi i vjetër i njerëzve të një kaste, në Ligjin e fundit të Akademisë, studiuesve që mbushin 65 vjet, iu mbyllen dyert e akademisë!
Vendosja e një kufizimi të tillë, nuk është vetëm një akt perfid, që në të njëjtën kohë është edhe akt i ulët, po është edhe një akt që i cenon të drejtat e njeriut! Askund nuk ndodh kështu.
- A i ka mbyllur llogaritë me Kosovën, Mehmet Kraja?
Mehmet Kraja pretendon se i ka mbyllur llogaritë me këtë vend, Kosovën! Deklarohet i pafajshëm. Po në vetë pretendimin e Mehmet Krajës, që i ka mbyllur llogaritë me Kosovën ka diçka të dyshimtë!
Përse ti, Mehmet Kraja, kurrë nuk e shpjegon praninë e emrit tënd në librin e ish-udbashit, Nafil Çegrani, “Ballë për ballë me vdekjen”? Përse gjendet emri yt aty, po edhe i disa kolegëve të tu të Akademisë, cili është motivi i pranisë suaj në këtë libër, përse të akuzon Çegrani, që edhe ti ia ke shitur shpirtin Djallit – shërbimit sekret jugosllav?
Pastaj, cila ka qenë pozita dhe roli yt në gazetën ushtarake “Narodna armija”, dhe si arrite deri aty?
Cili ishte motivi i ndërrimit të mbiemrit nga Mehmet Dragojeviq, në Mehmet Kraja? Përse nuk e shqipërove vetëm mbiemrin, po hoqe dorë nga mbiemri? Çfarë fshihet prapa këtij ndërrimi komplet të mbiemrit?
Kryeudbashit serb në Kosovë, Zoran Stijeviç, në intervistën dhënë gazetarit të njohur shqiptar Idro Seferi, të transmetuar në Top Channel ose në “YouTube” me titullin “Exclusive 14 shtator 2014, pjesa ll”, nga minuta e 4-të e tutje, në pyetjen se a kishin informacion për ushtrimet e UÇK-së, në vitin 1993, në Shqipëri, thotë se kishin shumë dhe se listat e atyre që kanë ushtruar i ka marrë nga “letrari Mehmet Kraja” dhe një avokat! (https://www.facebook.com/hamit.fazliu/videos/1782341518469593/?t=42)
A e ke kundërshtuar ndonjëherë këtë “shpifje” të Zoran Stijeviçit, dhe ku e ke kundërshtuar?
Fundi fundit, përse emri yt lakohet kaq herë si njeri i shërbimit sekret serb, ndërsa ti kurrë nuk i kundërshton këto që thuhen për ty? Po ndërsa ato që thuhen për ty nuk i kundërshton, vazhdimisht ti mban ligjërata moraliteti, se si është Kosova dhe si nuk duhet të jetë!
Përfundim
Gjuha e argumenteve dhe gjuha e spekulimeve janë dy gjuhë të ndryshme. Argumentet janë të kufizuara, ato janë të matshme, ndërsa fusha e spekulimit është e pakufishme. Ndoshta unë jam mendje e kufizuar që merrem me argumentet dhe Mehmet Kraja është mendje gjeniale, por mua më pëlqen të mbetem tek argumentet, ndërsa Mehmet Kraja qëndron në fushën e spekulimit, të cilën e ka zgjedhur vetë!
A i kujtohet kujt një ide që ka dalë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila pastaj i ka shërbyer zhvillimit të përgjithshëm të popullit të Kosovës? Përveç pjesëmarrjes, gjithnjë me pagesë, për matjen e tokës së Kosovës, me ç’rast iu falën Malit të Zi 8 200 hektarë, po territori i Kosovës doli me më shumë kilometra sesa i ka të shkruara, në asnjë projekt kombëtar kjo akademi nuk është angazhuar kurrë! Krahas angazhimit për ta zvogëluar territorin e Kosovës, kjo akademi angazhohet edhe për një gjuhë të veçantë të Kosovës, që ndryshon me gjuhën standarde, të cilën e përdorin të gjithë shqiptarët! Po përkundër Akademisë që nuk shkon përtej përpjekjes së ndarjes së shqiptarëve duke e ndarë gjuhën, Mehmet, shkon përtej. Mehmet Kraja, për interesa personale apo për ato të shefave të vet, duke u bërë kinse po e mbron identitetin evropian të shqiptarëve, nxit artificialisht konflikt ndërfetar te shqiptarët; Mehmet është ana tjetër e medaljes së Milazim Krasniqit e Co, të cilët, kinse në mbrojtje të komunitetit islam në Kosovë, nxisni konfliktin ndërshqiptar, duke nxitur konfliktin religjioz, në dëm të bashkimit të shqiptarëve!
Ndërsa sa i përket shkencës që krijohet në të ashtuquajturën Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, them se, aty ku takohet fjala persishte “xhan” me fjalë shqipe “gjanë”, pastaj “kanuni moral i Lekës” me “Zbulesën e krishterë”, aty ku Kanuni ka personazhe dhe ku në këngët e kreshnikëve ka qytetërim të lashtë antik, aty është edhe fundi i çdo logjike, fundi i shkencës dhe i artit, fundi i asaj për të cilën banorët e Akademisë i gëzojnë të gjitha ato privilegje: “shpërblimet” më të larta në rajon: paga që emërtohet “shpërblim” 1500 euro, honorarët e majmë për çdo faqe të letrës që e nxijnë, rytbet, zyrat moderne, shpenzimet që i bëjnë në ato zyra, plus edhe 6 muaj pasi të vdesin, nga 1500 euro t’u shkojnë në llogaritë e pasardhësve të tyre! Kjo është Selia e Imoralitetit, ky është vendi prej ku madhëria e tij Mehmet Kraja hedh pikëvështrimin për të parë Republikën e Kosovës dhe ne “të mjerët” që jetojmë në të!
Ndërsa këta akademikë i gëzojnë të gjitha këto privilegje, perspektiva e Kosovës, sidomos e të rinjve të Kosovës është mbyllur, të cilët pastaj marrin botën në sy për të siguruar një vend pune, për të siguruar një të ardhme të cilën ia kanë ngrënë politika dhe përkrahësit e kësaj politike, ku përkrahësja më e madhe e kësaj politike, është e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës!
Në fund, shkrimin tim për këtë çështje e mbyll duke e parafrazuar përfundimin e opinionit të Mehmet Krajës, “Të mos i besosh Makiavelit”, të botuar në “Telegrafi” më 11.09.2017: Që politika nuk ka punë me moralin, këtë e kanë mësuar të gjithë nga Makiaveli, por që Mehmet Kraja dhe Akademia e Shkencave edhe e Arteve të Kosovës të mos ketë punë me moralin, këtë nuk e kishte menduar as dijetari fiorentinas. Por jo vetëm që kjo akademi nuk ka të bëjë fare me moralin, por me shkeljen e nenit 20 për ribotimet, me ç’rast përfitojnë padrejtësisht nga buxheti i Republikës së Kosovës personat të cilëve u ribotohet libri; me aplikimin e nenit 11, pika 1, sipas të cilit në përzgjedhjen e kandidatëve për të hyrë në akademi të parët kanë të drejtë seksionet e akademisë, pastaj të tjerët; me politizimin e skajshëm, me ç’rast në akademi hyjnë vetëm njerëzit e një profili politik, klanor e krahinor; me botimin e pseudomonografive, pseudoteorive dhe veprave pseudoshkencore; me mungesën e nenit që do të sanksiononte plagjiaturën; me marrjen e pagave dhe të honorarëve më të lartë në rajon, me hyrjen në Akademi me një libër apo pa asnjë libër fare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës jo vetëm që nuk është institucioni më i lartë i shkencës dhe i kulturës në Kosovë, po tani është kthyer në një organizatë të kriminalizuar!