Mediat serbe e shpallin “hero” Driton Selmanajn pasi nuk e votoi rezolutën që e ndalonte referendumin
Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot në Kuvend është miratuar rezoluta për moslejimin e referendumit serb në territorin e Kosovës.
Për miratimin e kësaj rezolute kanë qenë 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Deputeti që ka abstenuar është Driton Selmanaj nga radhët e LDK-së. Në një postim në Facebook, ai ka renditur arsyet që e motivuan atë për të abstenuar.
Abstenimi i Selmanajt është raportuar nga të gjitha mediat në Serbi.
Deklarata e tij se “është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh”, është titulli që i kanë vënë raportimit këto media.
“Tash do t’i shohim pasojat e mosbashkëpunimit me vendet e QUINT-it”, shkruan gazeta serbe “Politika”.
Më pas ato raportojnë për arsyet që e kanë çuar Selmanajn të abstenoi.
Selmanaj, sipas një postimi në Facebook, ka sqaruar se ka pasur bindjen që kjo seancë e thirrur nga kryeministri Albin Kurti ka qënë për ta shpërndarë një pjesë të përgjegjësisë, siç e quan ai, nga pazotësia e tij.
“Arsyeja e parë: Seanca e jashtëzakonshme ishte e panevojshme, e pakuptimtë dhe pa fije substance. Asnjëherë nuk ka nevojë që Kuvendi të mblidhet për t’ia kujtuar dhe rikujtuar detyrat kushtetuese që kanë institucionet tjera. Detyrat kushtetuese për Kryeministrin, Presidentin dhe Kuvendin janë të shkruara dhe të përcaktuara me Kushtetutë, ato duhet zbatohen me detyrim nga të gjithë, pa pasur nevojë për rikujtim ndaj njëri tjetrit. Arsyeja e dytë: Kisha bindjen që kjo seancë ishte thirrur nga Albin Kurti për ta shpërnda një pjesë të përgjegjësisë vendimmarrëse nga pazotësia e tij për të marrë vendime në zbatim të detyrimeve kushtetuese. Mungesa e integritetit të tij për të marrë vendime, futi në cirkun e tij krejt në mënyrë të pakuptimtë Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Selmanaj.
Tutje, deputeti Selamanaj ka thënë se pasojat e mosbashkëpunimit të kryeministrit Kurti me shtetet e QUINT-it do të shihen në ditët e muajt në vijim.
“Arsyeja e tretë: Mënyra e menaxhimit të kësaj situate në relacion me partnerët tanë strategjikë me theks të veçantë me SHBA-të. Është hera e parë në historinë e re të Kosovës, që të gjitha vendet e QUINT-it të dalin kundër nesh. Kjo tregon që Albin Kurti me njerëzit e tij ka cenuar rëndë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta. Pasojat e këtij mos bashkëpunimi do i shohim në ditët dhe muajt në vijim. Kam bindjen që ky është vetëm fillimi”, ka shtuar Selmanaj.
“Në fund dua të shpreh qëndrimin që sovraniteti dhe integriteti i Kosovës duhet të mbrohen me çdo kusht nga të gjithë ne. Detyrimet kushtetuese dhe ligjore duhet të zbatohen pa asnjë mëdyshje. Marrëdhëniet e mira me aleatët tanë duhet të ruhen si sytë e ballit”, ka shtuar ai.