Mediat në Serbi censurojnë fjalimin e Kurtit në KS të OKB-së, ndalin transmetimin direkt
Mbrëmë është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mbledhje kjo e thirrur nga Serbia pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb për pagesa.
Derisa në mediat kosovare është transmetuar në tërësi kjo mbledhje, duke përfshirë fjalimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mediat serbe, transmetimi nuk ka vazhduar drejtpërdrejt kur fjalën e ka marrë kryeministri Kurti.
Raportohet se në televizionin shtetëror të Serbisë (RTS) transmetimi është ndërprerë sapo fjalën e ka marrë kryeministri Kurti. Transmetimi është ndërprerë edhe nga disa media tjera serbe.
Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka reaguar duke thënë se Vuçiqi është në panik e frikë të madhe përballë Republikës së Kosovës. Ndërsa, situatën me transmetimin e ka përshkruar si censurë.
“Në Serbi e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat”, ka shkruar ai.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten është diskutuar për Kosovën me kërkesën e Serbisë pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Diskutimi është transmetuar drejtpërdrejt, ndërkohë që Kosovën e ka përfaqësuar kryeministri Albin Kurti e Serbinë presidenti i saj.
Kurti e ka kualifikuar gënjeshtër çdo pretendim të presidentit të Serbisë të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se nëpërmjet vendimit të fundit të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa, Kosova është duke kryer spastrim të serbëve.
Në fjalimin e mbajtur para KS të OKB-së, Kurti ka theksuar se pretendimet përbëjnë propagandë të rrejshme dhe nxitje të tensioneve. /rtklive