Më shumë se 750 punëtorë shëndetësorë të infektuar me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se deri tani janë 756 punëtorë shëndetësorë që janë të infektuar me koronavirusin e ri në Kosovë.
IKSHPK me këtë informatë ka dhënë edhe sot një mesazh për qytetarët, duke porositur që të mbahet maska, distanca fizike dhe higjiena.
E nga sindikalistët shëndetësor ditë më parë kanë ngritur shqetësime se nga infektimi i punëtorëve shëndetësorë, kujdesi ndaj pacientëve po vihet në rrezik.
Deri tani në Kosovë janë testuar si të dyshuar për COVID-19 37.720 persona, ku 7.413 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.
Në Kosovë që nga shfaqja e pandemisë në mars, kanë vdekur 185 pacientë nga COVID-19, ku shumica prej tyre kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Ndërkohë numri i përgjithshëm i të shëruarve ka shkuar në 4027, duke lënë edhe 3.201 raste aktive, ku 585 prej tyre po trajtohen në QKUK dhe në spitalet rajonale./FaktePlus