Më shumë gardiane se sa të burgosura në Kosovë
Burgjet e Kosovës ende kanë shtretër të lirë dhe mund të pranojnë gjithë ata që organet e drejtësisë i kanë gjetur dhe shpallur fajtorë për kryerjen e veprave të ndryshme të kundërligjshme. Por, nuk janë vetëm të dënuarit që qëndrojnë nëpër burgje, aty ka edhe të punësuar burra e gra, që si gardianë kujdesen për mbarëvajtjen e burgjeve.
Interesimi i grave për të qenë pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përkatësisht gardiane nuk është i vogël, megjithatë nuk hyn në mesin e profesioneve të cilat në Kosovë ushtrohen shumë nga femrat.
Nga gjithsej katër qendra korrektuese e gjashtë qendra të paraburgimit dhe një burg të sigurisë së lartë që funksionojnë në rang Republike, i vetmi që u është rezervuar femrave që të vuajnë dënimet është ai i Lipjanit.
E në të gjitha këto qendra e burgje, janë të punësuara aktualisht 115 gra, kurse nga numri i përgjithshëm i atyre që po vuajnë dënimin prej 1 mijë e 587 persona sa ka aktualisht në tërë Kosovën, 43 janë femra.
Zyrtari i lartë për komunikim me publikun në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), Jeton Kabashi ka treguar për FaktePlus se me hapjen e dy qendrave të reja të paraburgimit, në Gjilan dhe në Prishtinë, janë shtuar kapacitetet për pranimin e të dënuarve të rinj.
“Se sa ka kapacitet për të pranuar të burgosur në burgje ne mund të marrim si shembull Qendrën Korrektuese në Dubravë. Kjo qendër ka kapacitet për të pranuar deri 1 mijë e 180 të burgosur e ndërsa numri aktualisht ka brenda rreth 792 persona”, ka thënë Kabashi.
Se burgjet në Kosovë kanë kapacitete të mjaftueshme e ka pohuar gjatë një raportimi para Komisionit Parlamentar për Legjislacion edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili bëri të ditur se në të gjithë Kosovën janë 2 mijë e 290 shtretër nëpër burgje.
E kjo sipas Tahirit është e mjaftueshme dhe se nuk do të duhej që më të investohet në këtë sektor.
Zyrtari i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Jeton Kabashi ka bërë të ditur se edhe 120 pjesëtarët e rinj që do të angazhohen si gardian pas fazës së testimit, do të jenë të mjaftueshëm për t’i mbuluar nevojat që paraqiten në qendra ndalimi, paraburgimi dhe burgje.
“Ne jemi në proces të rekrutimit edhe të 120 zyrtarëve korrektues dhe me pranimin e tyre do të rritet numri nëpër institucione korrektuese . Këtu do të pranohen burra, por edhe disa gra që do t’u bashkohen 115 femrave tjera”, ka theksuar Kabashi.
Në Kosovë ka gjithsej katër qendra korrektuese e gjashtë qendra të paraburgimit dhe një burg të sigurisë së lartë që funksionojnë në rang Republike.
Në këto qendra të burgosurit zhvillojnë aktivitete të ndryshme, e të cilat ju japin informacion mbi botën e filmit, artit e kulturës në përgjithësi.
Një të tillë së fundmi e kanë pasur të burgosurit e mitur nga Qendra Edukativo Korrektuese në Lipjan, e të cilët me 30 nëntor në shoqërimin e zyrtares së arsimit, zyrtarit social si dhe zyrtarit korrektues, kanë vizituar Muzeun e Kosovës.
Të burgosurit kryejnë edhe aktivitete rekreative brenda qendrave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me anë të së cilave përpiqen që të mos largohen tërësisht nga jeta sociale./FaktePlus