Me shkallë ose vinç për të lexuar orën elektrike në Kosovë
Ka kohë që KEDS-i ka nisur vendosjen e njehsorëve nëpër shtylla elektrike anekënd Kosovës. Por, tashmë kjo kompani ka shkuar edhe një hap tutje. Në një fshat të Fushë Kosovës, njehsorët janë vendosur në maje të shtyllave elektrike.
KEDS-i po vazhdon t’i vendosë njehsorët elektrikë që masin rrymën e shpenzuar kudo nëpër shtyllat elektrike, madje edhe në maje të shtyllave.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka fotografuar disa nga këta njehsor që janë vendosur në këtë formë të çuditshme në rrugën që lidh fshatin Kuzmin me Fushë Kosovën.
E për vendosjen e njehsorëve lartë shtyllave elektrike kanë dhënë një shpjegim po ashtu të çuditshëm zyrtarët e KEDS-it.
Zëdhënësi Viktor Buzhala i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se KEDS-i i vendosë asetet e veta në vendet më të përshtatshme të mundshme për të siguruar efikasitetin e tyre.
“Në bazë të Ligjit për Furnizim me Energji Elektrike njehsorët janë pronë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pra e KEDS-it. KEDS i vendosë asetet e veta distributive, duke përfshirë edhe njehsorët, në vendet më të përshtatshme të mundshme, duke siguruar efikasitetin e atyre pajisjeve, sigurinë e furnizimit dhe optimalizimin e shërbimeve”, ka thënë Buzhala.
Mirëpo për të lexuar këto orë elektrike nëpër maje të shtyllave, punonjësit e KEDS-it që janë të ngarkuar me këtë detyrë, duhet të kenë me vete shkallë të larta ose ndonjë vinç.
Zëdhënësi Buzhala thekson se ka edhe vende të tjera të Kosovës, ku njehsorët elektrik janë të vendosura lart shtyllave elektrike.
“Kjo nënkupton se ai nuk është vendi i vetëm ku orët janë vendosur në atë lartësi. Ka edhe vende tjera anekënd Kosovës, varësisht nga konfiguracioni i rrjetit dhe elementet tjera distributive përcjellëse”, ka thënë ai.
Kujtojmë se KEDS-i një kohë është kundërshtuar nga shumë komuna të Kosovës për mënyrën e vendosjes së orëve elektrike nëpër shtylla, pasi konsideroheshin si të rrezikshme dhe që prishnin pamjen e lagjeve.
Madje për vendosjen e kutive të njehsorëve të energjisë elektrike nëpër shtylla, disa komuna konsideronin se po bëhen pa leje paraprake të institucioneve përkatëse.
Për shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS) ka ekskluzivitetin. Kjo kompani është themeluar në vitin 2009, ndërsa ka filluar aktivitetet e saj operative më 8 Maj 2013, kur është ndarë përfundimisht nga KEK sh.a./FaktePlus