Me sa vota u rrëzua Qeveria, çka tha Kurti, Osmani dhe të tjerët
Me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.
Me votimin e këtij mocioni, Qeveria Kurti mbetet në detyrë, si qeveri në dorëheqje, ndërkohë që fillojnë procedurat për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti u iniciua nga partnerja e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti u zgjodh më 3 shkurt të këtij viti, pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se partia e tij mbetet e hapur që Vetëvendosje të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës, siç u shpreh ai “me bazë më të gjerë”.
Si u zhvillua seanca e mocionit të mosbesimit?
Kuvendi i Kosovës mbajti seancë plenare, ku debatoi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, që u iniciua nga partia në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahjen e opozitës.
Arben Gashi nga Grupi Parlamentar i LDK-së në arsyetimin e tij për mocionin e mosbesimit tha se kryeministri Kurti me veprimet e bëra, siç ishte edhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu, vendosi t’i japë fund koalicionit qeverisës.
“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri në aspekte të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit luftës kundër korrupsionit dhe konsolidim të subjektivit ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti për më pak se 50 ditë pune përmes mosveprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe ne veçanti me SHBA-në, ka pamundësuar funksionimin e qeverisë”.
Gashi ju ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin mocionin e mosbesimit.
“Me këtë veprim, Kuvendi krijon mundësinë e një qeverie të stabilitetit me kohëzgjatje të kufizuar që do të adresonte sfidat imediate me të cilat po ballafaqohet vendi si në pozicionet e politikës së jashtme si në dinamikat e brendshme”, thotë Gashi.
Por, jo të gjithë deputetët e LDK-së u shprehur pro mocionit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, në fjalë e saj tha se mocioni është dorëzuar nga LDK-ja dhe opozita në kohën kur bota po vuan nga pandemia.
“Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja në këtë kohë”, tha ajo.
“Rënia e qeverisë nuk shënon rënien e qëndresës tuaj [qytetarëve]ndaj të keqes sepse asnjë rënie nuk është e përhershme dhe asnjë betejë nuk është e pamundur. Si kryetare e Kuvendit jam përpjekur të mbroj çdo parim politik e çdo fjalë të dhënë dhe çdo parim politik mbi të cilin ka funksionuar partia ime”, tha Osmani.
Ajo tha se nuk do ta votojë mocionin pasi qëndron fort mbi fjalën e dhënë për ndryshime. Sipas saj, rënia e qeverisë nuk shënon rënien e qëndresës qytetare.
“Nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq me tepër në një kohë të rëndë për qytetarët. Do të votoj kundër”, tha Osmani.
Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se ky mocion po bëhet në një kohë mjaft të vështirë.
“LDK sot bashkë me aleatët e vjetër që duken si aleat të ri, po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën deri më tani. Pra kërkojnë rrëzimin e qeverisë kur bota po përballet me këtë pandemi si problem global. Kur qytetarët e Kosovës sot kanë sytë nga qeveria nga ministrat, kah doktorët, sërish LDK nuk ka nxjerr aleatë tjetër përveç kundërshtarëve të kësaj qeverie”, tha Selimi.
Kurti: Pazari presidencial për territore kërkon rrëzimin e qeverisë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ky mocion i mosbesimit ka ardhur për për shkak, siç u shpreh ai, pazareve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shkëmbim territorial me Serbinë.
“Jam i bindur që ka marrëveshje, praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takim që ishim”, tha Kurti.
“Ky mocion mosbesimi synon ta lë popullin pa qeveri, atë qeveri që ata e kanë votuar. Për bindjen time të fuqishme, motori për të shkakruar qeverinë nuk ka të bëjë as shkarkimin e minstrit Veliu e as me tërheqjen e trupave amerikane, por ka të bëjë asgjë më pak me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë, ky është motori që po e shkakton këtë nxitim në Kosovë”, tha Kurti
Kurti shtoi se ‘ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë’.
“Motori i kësaj është si të largohet kjo qeveri në mënyrë që t’i hapet shpalljes së gjendjes së jashtzakonshme dhe pazarit të gatshëm për shkëmbim territorial”, tha Kurti.
Kurti shtoi se nuk është ideja të hiqet tarifa doganore ndaj Serbisë dhe të fillojnë negociata, por sipas tij, ideja është të hiqet tarifa dhe të publikohet marrëveshja me Serbinë.
“Por, në këto pazare presidenciale të dëmshme dhe të rrezikshme nuk mund të më kenë mua si bashkëpunëtor dhe meqenëse jam në këtë pozitë të kryeministrit nuk është e mundur që ato të bëhen”, tha Kurti.
Mocioni për mosbesim të Qeverisë të udhëhequr nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbështetur nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Lista Serbe.
Ndërkohë që thirrja e kësaj seance në kohën e pandemisë së COVID-19 është vlerësuar në forma të ndryshme nga SHBA-ja dhe disa vende evropiane.
Përderisa ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka shkruar në Twitter se është i kënaqur të shoh kuvendin që ka vendosur të mbajë seancë, ministritë e jashtme të Francës dhe Gjermanisë i kanë kërkuar LDK-së të heqë dorë nga mocioni dhe seanca.
Kujtojmë se partnerët e koalicionit gjatë këtyre muajve të bashkëqeverisjes kanë pasur vazhdimisht mospajtime.
Kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike erdhi në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri.
Mospajtimet të mëdha mes LDK-së dhe Vetëvendosjes dolën në shesh në lidhje me shfuqizimin e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo që ishte vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Pas thirrjeve nga SHBA-ja dhe BE-ja që tarifa të shfuqizohet, kryeministri Kurti mori vendim që ta heqë pjesërisht atë, duke nisur me lirimin nga tarifa të lëndës së parë që importohet nga Serbia. Por, kjo masë ishte e pamjaftueshme për LDK-në e cila kërkoi që tarifa të hiqet plotësisht.
Finalja e kësaj krize nisi me një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.