Më në fund hiqet bllokada në Wuhan të Kinës
Bllokimi disa mujor në qytetin e Wuhanit në provincën Hubei të Kinës – ku pandemia e koronavirusit e ka origjinën – më në fund është hequr.
Kushdo që e ka kodin “e gjelbër” në një aplikacion të shëndetit në telefona të mençur tani lejohet që të dalë, për herë të parë që nga 23 janari.
Bllokada u hoq, pasi Kina nuk e raportoi asnjë vdekje të martën – që është hera e parë qysh prej kur nisën vdekjet e para nga Covid-19.
Për ta parandaluar përhapjen e virusit në Wuhan, autoritetet vendosën kufizime të ashpra për udhëtime dhe urdhëruan mbylljen e shumicës së bizneseve në metropolin që është shtëpia e 11 milionë njerëzve.
Autoritetet kineze i kanë arsyetuar këto masa të ashpra me rënien e shkallës së infeksionit, derisa tani shumica e rasteve raportohen jashtë Kinës.
Javën e kaluar kur Wuhan raportoi javën e parë pa asnjë rast, qendrat tregtare u rihapën.