Me cilat raste do të merret Zyra Shtetërore e Hetimeve-A ka bazë ligjore dhe a do të themelohet?
Qysh prej kohës sa negocionin për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë pajtuar që me ardhjen në Qeveri, të themelojnë një Zyre Shtetërore të Hetimeve. Kjo Zyre që ishte thënë se do të ketë komponentin e luftimit kundër krimit, e sidomos hetimin e vrasjeve politike, luftën kundër korrupsionit si dhe sundimin e ligjit në aspektin e anti-korrupsionit dhe verifikimit të pasurisë, po shihet me skepticizëm nga njohësit e fushës së sigurisë e drejtësisë, pasi dyshojnë se ka bazë ligjore për themelimin e një institucioni të tillë. Ata konsiderojnë se prioritet duhet të ketë Vetting’u, ndërsa kërkojnë sqarim të pozicionit kushtetues veçse themelohet një Zyre e tillë.
Krahas institucioneve të hetimeve që ekzistojnë e funksionojnë ne vend, siç janë policia e prokuroria, LDK dhe LVV janë dakorduar që ta formojnë edhe një Zyre Shtetërore të Hetimit pas ardhjes në Qeveri.
Ani pse për këtë Zyrë dihet pak, ajo që dihet është se erdhi si propozim i LDK-së dhe se me formimin e Qeverisë së re ky mekanizëm shtetëror i hetimeve mund t’i shtohet Kosovës.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi në një deklaratë për media gjatë kohës sa zhvilloheshin negociatat për koalicion, kishte thënë se kjo Zyrë do ta luftonte krimin e vjetruar e korrupsionin, si dhe do ta garantonte sundimin e ligjit në aspektin e anti-korrupsionit dhe pasurisë.
E një gjë e tillë është paraqitur edhe në planin qeverisës të kryeministrit Albin Kurti, i cili e përmendi edhe në ekspozenë e tij rreth planit qeverisës, ditën kur u votua si kryeministër më 3 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
“Do të rishikohet funksionimi i të gjitha task-forcave dhe do të shuhen ato që konsiderohen të panevojshme për t’i hapë rrugë themelimit të Zyrës Shtetërore e Hetimeve në përputhje me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve”, kishte thënë Kurti.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje tek Ministria e Drejtësisë, duke kërkuar sqarime shtesë për këtë zyrë: misionin, përbërjen dhe kohën kur do të themelohej Zyra, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje me arsyetimin se “ka mungesë të stafit dhe ministrja nuk ka kohë”.
Ndërkohë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehen se nga ajo që dihet për këtë Zyrë dhe fakti se do të mbikëqyret nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, e bën ekzistimin e saj të panevojshëm.
“Sipas asaj që është deklaruar në media, Zyra Shtetërore e Hetimeve nuk do të jetë diçka e veçantë, por do të jetë një ristrukturim i zyreve ekzistuese. Kjo për arsye se sipas këtyre deklarimeve publike, kjo zyrë do të mbikëqyret ekskluzivisht nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Në këtë mënyrë, ekzistimi i kësaj zyreje nuk është fare i nevojshëm, për arsye se tanimë ekziston Prokuroria Speciale dhe Departamenti Special për hetimin dhe gjykimin e rasteve të natyrave të rënda”, ka deklaruar për FaktePlus, Gëzim Shala, monitorues në IKD.
Ai thotë se nëse Qeveria vendos ta themelojë atë, është e nevojshme të përcaktohet pozicioni kushtetues dhe ligjor i kësaj zyre, mandej edhe procesi i rekrutimit të punonjësve të zyrës, mandati e detaje të tjera.
“Fillimisht është e rëndësishme që të përcaktohet pozicioni kushtetues dhe ligjor i kësaj zyreje, e cila në asnjë rrethanë nuk duhet të cenojë parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të drejtat e njeriut dhe liritë themelore… Në këtë rast, duhen akterë të sistemit të drejtësisë të cilët punën e tyre e kryejnë me profesionalizëm, efikasitet, integritet dhe në mënyrë të pavarur. Pra, investimi duhet të jetë në këto aspekte, dhe jo efikasiteti të shkoj në dëm të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, pasi kjo Zyrë më pas rrezikohet që të përdoret për qëllime të interesave ditore”, shton ai.
Kurse njohës të fushës së sigurisë kanë mendime të ndryshme për Zyren Shtetërore të Hetimeve.
Avni Islami konsideron se është i nevojshëm themelimi i saj, pasi siç deklaron ai, sistemi i drejtësisë në Kosovë është në pikën zero.
“Mendoj që kjo e fundit (Qeveria) i ka tregu rezultatet e para që është e interesuar të vendoset rendi dhe ligji. Është e vendosur ta luftojë krimin e organizuar, korrupsionin, nepotizmin etj. Se sa ka nevojë Kosova të formojë task-forca për krimin e organizuar e hetimin e vrasjeve të pasluftës, mendoj që kjo do të ishte e nevojshme për shkak se sistemi aktual i drejtësisë është në pikën zero. Ka humbur besueshmëria tek organet e drejtësisë dhe për atë mendoj që kjo qeveri është e orientuar në formimin e taskforcave për hetimin edhe të vrasjeve të pasluftës”, ka thënë Islami për FaktePlus.
Por, edhe pse thotë se është mirë të krijohet Zyra Shtetërore të Hetimeve, sipas tij prioritet duhet të ketë Vetting-u në drejtësi.
“Mendoj se sa më parë duhet të fillohet me Vetting-un; të pastrohet sistemi i drejtësisë, prokuroria, gjykatat, policia dhe të gjitha mekanizmat e sigurisë, si dhe të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit dhe po të pastroheshin përmes Vetting-ut institucionet, besoj se nuk do të kishte pasur nevojë të formohen këto taskforca, pasi Kosova aktualisht ka mekanizma të sigurisë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa njohësi tjetër i sigurisë Nuredin Ibishi konsideron se themelimi i kësaj Zyre është i vështirë, pasi duhet një bazë ligjore që e justifikon veprimin e saj.
Sipas tij, nëse tentohet të krijohet Zyra ka shumë implikime.
“Që të bëhet një institucion i tillë duhet një bazë ligjore që e justifikon veprimin e asaj. S’mundet në bazë të tekave. Mund të bëhet ndonjë këshill konsultativ apo diçka e tillë, por jo hetimor për arsye se ajo duhet t’i ketë kompetencat ligjore. Këshilli konsultativ mund të bëhet. Ne për atë e kemi edhe Këshillin e Sigurisë, por sido që të jetë, diçka më konkrete për hetime nuk mund të bëhet jashtë ligjit diçka për arsye se çështja e hetimeve është saktësisht e definuar me Kodin e Procedurës. Për hetime i kemi policinë dhe prokurorinë”, thotë ai.
Sipas Ibishit, për hetimin e vrasjeve të ashtuquajtura politike dhe krimet ë tjera të rënda shërben Prokuroria Speciale dhe nuk ka nevojë që ato t’i trajtojë ajo një zyrë e veçantë.
“Për çështje të krimeve të luftës dhe politike tjera është Prokuroria Speciale që i ka ato kompetenca në bashkëpunim me policinë”, shton ai.
Ndryshe, në Kosovë më herët ishte paraparë të formohej edhe Policia Gjyqësore, pra, policia e sistemit gjyqësor. Ajo mendohej t’i ndihmonte gjyqësorit duke ia zgjidhur një numër të lëndëve. Themelimi i saj ishte paraparë me kod të procedurës penale të vitit 2004. Por, më vonë ishte vendosur që kompetencat e saj t’i kalonin Policisë së Kosovës, konkretisht Departamentit të Krimeve.
Gëzim Shala nga KDI-ja thotë që si ajo polici, ashtu edhe themelimi i një Gjykate dhe Prokurorie Speciale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, është i nevojshëm. Po ashtu edhe Nuredin Ibishi mendon se do të ishte e nevojshme një Polici Gjyqësore./FaktePlus