Me 2024 fokusi i qeverisë duhet të jetë në parandalimin e ikjes së fuqisë punëtore
Në vitin 2024 fokusi i qeverisë duhet të jetë në parandalimin e ikjes së fuqisë punëtore, sepse liberalizimin vizave do të ketë ndikim në këtë drejtim.
Kështu konsiderojnë përfaqësues të Odave Ekonomike në Kosovë të cilët thonë se politikat fiskale, sundimi i ligjit, reformat në arsim e disa pika të tjera, duhet të jenë prioritet për qeverinë për gjatë vitit 2024.
Ndryshimi i politikave fiskale, sundimi i ligjit, reformat në arsim dhe parandalimi i ikjes së të rinjve nga vendi duhet të jetë fokusi i qeverisë për vitin 2024.
Kështu i tha Radio Kosovës, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili po konsideron se pas liberalizimit të vizave, mund të mbetemi pa fuqi punëtore.
“Duhet me urgjencë të veprojmë në këtë drejtim, sepse jemi vonë. Tani po na vjen edhe liberalizimi i vizave e është një panik e një trend që na duhet me ndërmarr masa për t’i stimuluar të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë dhe t’u tregojmë atyre se edhe në vendin tonë mund të bëjnë biznes”, ka theksuar Rafuna.
Përveç kësaj, vendi mund të ballafaqohet me rritje të çmimit të energjisë konsideron Rafuna. Ai përmendi edhe disa sfida të tjera që mund ta përcjellin vendin në vitin që po vjen.
“Tani po hyjmë në stinën e dimrit e nuk dihet a do të kemi energji elektrike mjaftueshëm, nëse do të kemi a do të kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike, sepse dihet se rritja e çmimit te energjisë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimi të konsumit final të konsumatorit. Sfidë tjetër është gjetja e tregjeve sa më të mëdha jo vetëm rajonale por edhe evropiane, për arsye se bizneset kanë filluar të prodhojnë produkte shumë kualitative duke iu bërë konkurrencë jo vetëm produkteve në tregun rajonal por edhe evropian. Një sfidë do të jetë edhe ndryshimi i politikave fiskale për t’u mundësuar bizneseve qe të prodhojnë sa më shumë, këtu duhet merren veprime urgjente në këtë drejtim”, ka shtuar ai.
Edhe kryetari i Odes Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, konsideron se liberalizimi i vizave do të ketë ndikim në fuqinë punëtore .
“Gjasat janë që një pjesë e madhe mund të shfrytëzojnë liberalizmin e vizave për të gjetur punë në vende te BE-së. Disa prej anketave që janë prezantuar kohëve te fundit për ketë çështje e konfirmojnë këtë, megjithatë mbetet të shihet se si do të jetë sjellja e qytetarëve pas 1 janarit të vitit 2024. Pra, sfidë e madhe do të jetë tregu i punës dhe kapitali njerëzor në përgjithësi”, ka theksuar Zeka.
Ai tha se ekziston droja se do të ketë ngarkesa fiskale. Kjo sipas tij nuk do të duhej të ndodhte.
“Ekziston droja për ngarkesa fiskale, të paktën kështu është paralajmëruar në mënyrë jo formale. Qëndrimi i Odes Amerikane është që assesi të mos ketë ngritje të normave tatimore ose prezantim të normave të reja tatimore, pra, të mos preket sistemi aktual fiskal. Një promovim më i madh i potencialeve të vendit, reformim i mëtejm i legjislacionit dhe përmirësim i vazhdueshme i klimës se investimeve, janë çështje që qeveria duhet t’i ketë në fokus”, ka nënvizuar ai.
Ndërkaq, njohësi i ekonomisë, Haki Shatri, konsideron se problemi kyç për vitin 2024 do të jetë se si do të vazhdohet me projektet e bllokuara. Sfidë sipas tij, do të jetë varfëria dhe siç thotë ai, punësimi.