Më 17 tetor votohet edhe në Maqedoninë e Veriut, KQZ-ja pa përgjigje për votuesit me dy shtetësi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është vënë përballë një sfide të re për votuesit e komunave kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë edhe shtetësinë maqedonase.
Më 17 tetor zgjedhjet lokale do të mbahen edhe në Maqedoninë e Veriut, shtet i cili ka procedurat e njëjta të identifikimit të votuesve sikurse Kosova.
Kjo do të thotë se nëse një votues nga Kosova votuar në Maqedoninë e Veriut, do të jetë problematike që edhe i njëjti të mund të votojë edhe në Kosovë, pasi në gishtin e tij do të mbeteshin gjurmët e sprejit.
Kjo temë ka ngjallur debate në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtarët e këtij institucioni kanë kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së një rekomandim se si do të veprohet në këto raste.
Shefi i sekretarit në KQZ, Burim Ahmetaj, ka thënë se kjo gjë ka qenë kërkesë e banorëve të pikave kufitare.
“Nga vizitat që kemi pasur në terren, jemi njoftuar me problematikën e qytetarëve që kanë dy shtetësi. Kjo problematike më shumë është në Kaçanik dhe Han të Elezit, ku e dimë që të njëjtën ditë mbahen zgjedhjet edhe në Maqedoni, e kërkesa e tyre ishte nëse mund te votojnë në dy shtetet”, tha ai.
Të njëjtën e kërkoi edhe anëtari i PDK-së, Arianit Elshani. Ai kërkoi që mbledhjen e ardhshme, sekretariati ta bëjë një rekomandim, të cilën do ta shqyrtojnë në mbledhjen e ardhshme.
E anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi të dijë nëse partitë politike e mund t’i mbajnë aktivitetet nëpër oborret e shkollave, raporton EO.
“Po mund ministria e Arsimit i ka lejuar që partitë politike t’i mbajnë këto aktivitete, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, tha Ahmetaj.
Ndërkaq për personat që janë të infektuar me Covid-19, ai tha se do t’iu ofrojnë të gjithë atyre personave që të votojnë përmes ekipeve mobile.