Mbrojtja në heshtje e drejtuesve të UÇK-së, flasin avokatët
Shumë nga personalitetet drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u janë përgjigjur pozitivisht ftesave të Prokurorisë Speciale të Hagës, por shumica e tyre kanë zgjedhur të heshtin, pra të mos përgjigjen në pyetjet e prokurorëve të Speciales.
Disa nga ish drejtuesit e UÇK-së kanë qëndruar pak kohë në Hagë para hetueseve të Prokurorisë, pasi zgjodhën që të mos flasin fare në pyetjet që kishin planifikuar të bënin hetuesit.
Kështu njëjtë veproi sot edhe kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, i cili hoqi dorë nga posti i të parit të Qeverisë pas marrjes së ftesës nga Specialja. Ai gjatë paraqitjes sot në Hagë zgjodhi që të mbrohet në heshtje ndaj pyetjeve të prokurorëve.
Mësohet po ashtu se edhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi ka zgjedhur që të mos flasë asgjë para zyrtarëve të Speciales, duke u mbrojtur kështu në heshtje.
E veprim të ngjashëm kishte zgjedhur edhe ish komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, kurse se është mbrojtur në heshtje e ka thënë edhe vetë ish- komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.
Të gjithë këta, e kanë kryer intervistimin brenda një kohe të shkurtër, ndërsa komandantët që nuk janë mbrojtur në heshtje, intervistimi i tyre u ka zgjatur me ditë sikurse rasti i komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.
Çfarë është mbrojtja në heshtje?
Avokati Naim Rudari e ka sqaruar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se mbrojtja në heshtje është një e drejtë ligjore e çdo individi, i cili beson në pafajësinë e tij.
Rudari ka thënë se kjo çështje është e drejtë elementare e pakontestuar dhe se organi ndjekës në këtë rast prokuroria, duhet të gjejë mënyra tjera që të vërtetojë dyshimet e saj.
“Mbrojtja në heshtje është një e drejtë ligjore që garantohet për secilin person. Të deklarohesh për çështjen ose të mbrohesh në heshtje zakonisht përdoret në fazën kur dikush akuzohet për diçka dhe ligjërisht i dyshuari ka të drejtë të mbrohet në këtë mënyrë. Mirëpo e ka obligim organi i ndjekjes, në këtë rast prokuroria që ta vërtetojë fajësinë e të dyshuarit. Kjo i bie që i ftuari ka të drejt të bëjë këtë, sepse mund të thotë që t’i po më ndjek penalisht, urdhëro vërtetoje por unë nuk flas, kështu i bie”, thotë Rudari.
Sipas, avokatit Rudari mbrojtja në heshtje nuk mund të ketë efekt negativ në procesin gjyqësor.
Edhe avokati Leon Perlaska thotë se i pandehuri mund të mbrohet në heshtje gjatë gjithë gjykimit.
Sipas tij, mbrojtja në heshtje pranë Gjykatës Speciale mund të nënkuptoj koordinimin të mbrojtës të të ftuarve në Hagë.
“Në aspektin formal apo procedural mbrojtja në heshtje e të dyshuarve është e drejtë të cilën mund t’a shfrytëzojnë që nga momenti i marrjes së parë në pyetje e gjatë gjithë procedurës penale, pra të pandehurit kanë mundësi që gjatë gjithë gjykimit të mbrohen në heshtje. Mbrojtja në heshtje e të dyshuarve pranë gjykatës speciale mund të nënkuptoj koordinimin e mbrojtjes-unifikimin nga një grup i të dyshuarve, ose mungesë totale e koordinimit në lidhje me faktin se si do të deklarohen kur pyeten për rrethanat e caktuara”, tha avokati Perlaska për FaktePlus.
Tutje avokati thekson se mbrojtja në heshtje nuk nënkupton se personi në fjalë që është thirrë për intervistim nidhet ose jo fajtor.
“Pra frika se deklaratat e tyre do të jenë kontradiktore, në lidhje me rastet për të cilat dyshohen bënë qe të njëjtit të mbrohen në heshtje. Mirëpo, duhet bërë të qartë se mbrojtja në heshtje në parim nuk ka efekt negativ, pra nuk nënkupton se personi qe mbrohet në heshtje ndjehet fajtor apo është fajtor”, thotë Perlaska.
Ndryshe, Gjykata Speciale ishte krijuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës pas publikimit të Raportit të Dick Martyt, i cili pretendonte se ushtarët e UÇK-së kanë kryer krime.
Numri i ish-pjesëtarëve të UÇK-së që janë ftuar për intervistim nga Specialja, ka shkuar në rreth 70, ndërkohë që organizatat e OVL të UÇK-së kanë konfirmuar se tashmë ka edhe ftesa të reja./FaktePlus