Mbledhja e Kryesisë së LDK-së, Mustafa tregon a do t’ia kërkojnë VV-së postin e kryeministrit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se janë pajtuar që posti i kryeministrit t’i takojë partisë që i ka fituar zgjedhjet.
“Ne parimisht jemi shprehur se do ta pranojmë që kryeministrin do ta ketë partia e cila del e para, dhe ne i mbahemi këtij parimi. Mirëpo kjo çështje nuk është e përfunduar në pikëpamje të rëndësisë që ka posti i kryeministrit dhe postet tjera”, tha Mustafa.
Kreu i LDK-së pas mbledhjes së Kryesisë ku janë njoftuar për dialogun me Vetëvendosjen rreth harmonizimit të programit, ka shtuar se ende nuk kanë folur për çështjet tjera, siç është ndarja e posteve.
“Ne nuk jemi në fazën ku mund të flas për ndarjen e ministrive, është një fazë tjetër që duhet ta diskutojmë me partnerin tonë”, theksoi Mustafa.
Mustafa më tutje theksoi se gjatë takimeve me Vetëvendosjen janë pajtuar për harmonizimin e programeve në sundimin e ligjit, arsimit, shëndetësisë.
“Ne sot në mbledhjen e Kryesisë u informuam lidhur me rrjedhën e dialogut me Vetëvendosjen për harmonizimin e programit qeverisës. Kryesia ka vlerësuar se ekipi ka bërë një punë të mirë në prezentimin e pjesës së programit të LDK-së dhe harmonizimit të programit të Vetëvendosjes. Vlerësojmë se ka harmonizim në programin e sundimit të ligjit, arsimit, shëndetësisë. Po ashtu janë arritur pajtime të një niveli të kënaqshëm sa i përket numrit të ministrive, pra gjithëherë që Qeveria të jetë efektive dhe shumë më ekonomike se qeveritë e kaluara me një numër shumë të madh të zëvendësministrave e ministrave”, tha ai. /FaktePlus