Mbi një milion euro ushqim për Njësinë Speciale të Kosovës
Mish, bukë integrale, lëngë pemësh, molla, dardha, banane, mandarina, jogurta, ëmbëlsira antiogsiduese, konserv peshku, sandëich, oriz integral me perime dhe mish pule të fërguar, supë, sallatë të gjelbër me perime tjera sezonale e çka jo tjetër parashihet të blihen për pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (NjSO), me tenderin e hapur ditë më parë për furnizim me ushqim.
Tenderi i hapur nga Policia e Kosovës për furnizim me ushqim për pjesëtarët e NjSO-së, kap shifrën e mbi një milion eurove, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Sipas dosjes së tenderit planifikohet që me 1.217.894,60 euro të blihen 27 pako, brenda të cilave do të ketë gjëra të ndryshme ushqimore. Me këtë planifikohet të bëhet furnizim për tre vitet e ardhshme.
Afati i fundit për dorëzim të ofertave është deri me 25 korrik 2019, në ora 14:00. Ndërsa, të gjitha ofertat duhet të dorëzohen në mënyrë elektronike përmes platformës së e-prokurimit.
Kurse kontrata ekzistuese për furnizim me ushqim do të përfundojë në fillim të muajit shtator. /FaktePlus