Mbi 7 mijë kërkesa nga mësimdhënësit e viteve 90-ta në MPMS
Që nga 15 gushti i këtij viti kur edhe ka filluar aplikimi i mësimdhënësve për t’u kompensuar për kontributin e dhënë gjatë viteve 1990-99 në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) janë dorëzuar rreth 7500 kërkesa për kompensim.
Këtë e ka konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus udhëheqësi i Departamentit të Pensioneve që operon në kuadër të Ministrisë së Punës së Mirëqenies Sociale, Bahri Xhaferi.
Ai tha se gjithë ata që plotësojnë kriteret edhe do të marrin kondensimin e merituar siç është parashikuar me ligj, pra nga 19 deri në 95 euro për muaj.
“Aktualisht i kemi 7 mijë e 50 kërkesa të pranuara. Po bëjmë përpjekje që pagesa e këtyre personave të bëhet në mënyrë retroaktive e gjithë atyre që kanë parashtruar kërkesa prej 15 gushtit deri më 15 nëntor”, thotë Xhaferi.
Por, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është duke kërkuar dokumente shtesë për aplikuesit që duan të përfitojnë nga Ligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve ‘90-‘99.
Ndonëse udhëzimi administrativ për kushtet dhe kriteret e realizimit të së drejtës në kompensim shtesë për punëtorët e arsimit shqip të viteve ‘90 nuk parasheh fatura të tatimit në pronë, MPMS-ja po ua kërkon këtë dokument të gjithë aplikuesve të kësaj kategorie.
Kërkimi i faturës së tatimit në pronë sipas Xhaferit po kërkohet për shkak të përcaktimit të adresës së personit që parashtron kërkesë.
“Asnjë ndryshim i kriterit nuk ka qenë, vetëm se ka qenë diskutabile, ka qenë që kemi kërkuar pagesën e tatimit në pronë dhe kjo ka të bëjë me përcaktimin e drejt të adresës së atij personi që ka parashtruar kërkesë”, tregon Xhaferi.
Ndërkaq, Xhaferi, ka deklaruar se kompensimi për të gjithë mësimdhënësit e asaj kohe do të bëhet në mënyrë retroaktive dhe nuk ka ndryshim të pagesës, por do të jetë siç është përcaktuar më parë nga 19 deri në 95 euro.
“Pagesa do të bëhet në mënyrë retroaktive nga muaji prill kur edhe ka filluar zbatimi i ligjit dhe nuk besoj që do të ketë probleme. Ndërsa vlera e pagesës që do të bëhet është një vlerë që Ministria e Financave e ka nxjerr bazuar në pagën mesatare që ka mësimdhënësi dhe ajo fillon prej një viti, dy vjet, tre vjet e deri në nëntë vite. Kështu që do të jetë 95 euro për ata që i ka nëntë vjet pune si mësimdhënës”, potencoi ai.
Ai shpjegoi edhe mënyrën se si do të kompensohen këta mësimdhënës varësisht prej viteve të punës.
“Për një vit pune është 3.46 për qind nga paga e vërtetë e arsimit fillor sipas ligjit të ri për pagat, deri në 17.28 për qind të pagës bazë të arsimit fillor për nëntë vite. Do të thotë nga 3.46 për qind për një vit deri në 17.28 për qind të pagës bazë në arsimin fillor bazuar në ligjin e ri për pagat. Pra, ky do të jetë kompensimi shtesë që do t’u paguhet punëtorëve të arsimit të viteve 90-99”, ka pohuar ai.
Zvarritja për një kohë të shkurtër nuk po paraqet telashe as për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës në Kosovë (SBASHK).
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për FaktePlus se edhe nëse vonohet së implementuari ligji, mësimdhënësit do të marrin pjesën shtesë.
“Departamenti i pensioneve është duke bërë angazhimet që këtë muaj apo eventualisht në muajin nëntor të nis së imlementuari që kolegët tanë të fillojnë të marrin edhe pjesën shtesë. Ajo që është mirë, që edhe nëse vonohet pak implementimi i këtij ligji në praktike, kolegët tanë do të marrin shtesën që nga prilli e këndej dhe do ta marrin pensionin e punës”, tha Jasharaj.
Sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.
Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro.
Në ditën kur edhe ka filluar zbatimi i Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka treguar edhe se cilat dokumente duhet të kenë parashtruesit e kërkesës, duke përfshirë: kopjen e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës; Ekstraktin e lindjes; Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar); Faturën e tatimit në pronë; Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës; si dhe Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontribuues.
Që nga viti 2013 mësimdhënësit e viteve të 90-ta, pritën që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin, i cili do t’ua garantonte atyre kompensimin për kontributin e dhënë gjatë asaj kohe./FaktePlus