Mbi 6 milionë euro në vit për Devollët nga monopoli i homologimit
Më datë 1 korrik 2019 skadon kontrata që i siguron kompanisë EuroLab shpk monopolin e homologimit dhe mbikëqyrjes së kontrollimit teknik.
Për shkak të monopolit që mban kompania EuroLab shpk, pronë e familjes Devolli, qytetarët e Kosovës paguajnë më së shtrenjti në Evropë për homologim të veturave. Madje, kosovarët detyrohen të paguajnë për homologim edhe të veturave të reja.
Por sa në fakt është shuma që u zhvatet qytetarëve nga kjo kompani?
EkonomiaSot ka siguruar një kopje të pasqyrës së të hyrave nga e cila mund të shihet se për vitin 2017 kjo kompani ka përfituar 6 milionë e 144 mijë euro nga shoferët kosovarë.
Për një biznes në kushte normale, një normë fitimi kaq e lartë do të ishte e paimagjinueshme.
Mirëpo operimi si monopol, pa konkurrencë, dhe duke detyruar kosovarët të paguajnë çmimin më të lartë në Evropë, i mundëson kompanisë EuroLab të arrijë një marzhë fitimi kaq të lartë, që nuk arrihet as edhe në bizneset më të suksesshme të botës.
Në lidhje me monopolin e homologimit, shefja e zyrës së BE-së në Kosove, Nataliya Apostolova gjatë ditës së djeshme u ishte drejtuar anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, me kërkesë që deputetët të bëjnë presion mbi Qeverinë që të mos nënshkruaj vazhdimin e kësaj kontrate edhe për 10 vite tjera.
Sipas Apostolovës, ajo ishte takuar edhe me Kryeministrin Haradinaj e edhe me Ministrin Pal Lekaj, mirëpo asnjëri prej tyre nuk e kishte siguruar që kontrata nuk vazhdohet.