Mbi 50 mijë kërkesa, vetëm rreth 1000 në muaj fitojnë viza pune për Gjermani
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë është duke dhënë rreth 1000 mijë viza të punës çdo muaj për të rinjtë kosovarë të cilët dynden çdo ditë para dyerve të saj.
Agjencitë të cilat ofrojnë shërbime për viza në afërsi të Ambasadës së Gjermanisë kanë thënë për FaktePlus se numri prej 1000 mijë përgjigjeve pozitive ose negative, në kërkesat për vizë punësimi është shumë i vogël në krahasim me kërkesat që kjo ambasade ka brenda një dite.
Ndërkaq terminët lidhur me procedurat për vizat e punësimit në shtetin gjerman sipas Rregullës për Ballkanin Perëndimor, vazhdojnë të stërzgjatën me mbi 18 muaj pritje për aplikantët.
Arsyeja e kësaj stërzgjatje sipas një përgjigje të Ambasadës dhënë për FaktePlus, thuhet se janë kapacitetet e pakta krahasuar me kërkesat e parashtruara për viza.
“Njoftimet lidhur me kohët e pritjes për termine, Ambasada Gjermane në Prishtinë i publikon në ueb-faqen e saj. Ambasada Gjermane vitin e kaluar i ka shtuar dukshëm kapacitetet e saj për përpunimin e aplikacioneve për viza, mirëpo kërkesa për viza edhe më tej i tejkalon kapacitetet, ashtu që kohët e pritjeve janë të pashmangshme”, thuhet në përgjigjen e dhënë për FaktePlus.
Rreth 50.000 kërkesa për viza brenda një viti
Sipas të dhënave, shihet se ambasada gjermane gjatë një viti shqyrton rreth 50.000 mijë kërkesa për viza të ndryshme. Kështu së paku tregojnë të dhënat e përpunuara për vitit 2017, kurse në procedurë janë ato të vitit 2018.
“Ambasada Gjermane në vitin 2017 i ka përpunuar gjithsej rreth 50.000 kërkesa për viza. Ndër to ka kërkesa për qëndrime afatshkurtra (turizëm, udhëtime afariste, etj.), sikurse edhe për qëndrime afatgjata (punësim, studime, bashkim familjar etj.). Për vitin 2018 parashihet që numri i kërkesave të përpunuara të sillet rreth nivelit të periudhës krahasuese me vitin 2017. Kriteret për aplikim për vizë nuk kanë ndryshuar. Të gjitha dokumentet që nevojiten për paraqitje të kërkesës janë të publikuara dhe mund të gjinden në uebfaqen e Ambasadës”, thuhen për përgjigjën e Ambasadës dhënë për FaktePlus.
Pritjet po e irritojnë punëdhënësit gjerman
Sipas të dhënave ambasada këto ditë është duke shqyrtuar aplikacionet e fundit të muajit Gusht të 2017-ës.
Mbi 18 muaj pritje për një përgjigje për vizë të punës nga Ambasada e Gjermanisë, po u prish punë edhe vetë aplikuesve, sepse sipas tyre firmat apo bizneset si palë garantuese në këtë rast, nuk janë në gjendje të presin mbi një vit për të marrë një punëtor nga Kosova.
Kështu që firmat gjermane janë të detyruara në shumë raste të ndërpresin kontratën e punës për një kosovar.
Në kushte anonimiteti, njëri nga aplikantët i cili po priste para ambasadës edhe pse kishte marrë konfirmimin për termin pas 18 muaj pritje, thotë se tani nuk ka kontratë të vlefshme të punës, për shkak që punëdhënësi gjerman ka humbur interesimin e tij pas pritjes së stërzgjatur./A.B. FaktePlus