Mbi 400 të burgosur në vend po agjërojnë, ShKK-ja tregon si pritet Bajrami nëpër burgje
Mbyllja brenda katër mureve nuk po i pengon të burgosurit në vend që të praktikojnë fenë. Aktualisht nëpër burgjet e vendit po agjërojnë mbi 400 të burgosur. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i atyre që agjërojnë ka shënuar rritje.
Në Shërbimin Korrektues kanë dhënë detaje rreth ushqimeve që u shërbehen atyre për iftar e syfyr, si dhe mënyrës se si pritet Festa e Bajramit nëpër burgje.Në Shërbimin Korrektues të Kosovës kanë treguar se aktualisht në burgjet e vendit gjenden mbi 1 mijë e 500 të burgosur. Një numër jo i vogël i tyre deklarojnë se janë më ramazan.
Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi, ka thënë se aktualisht janë duke agjëruar 422 të burgosur.“Në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit, aktualisht janë 1542 të burgosur. Prej tyre, 40 janë femra dhe 1502 janë meshkuj. Aktualisht, 422 të burgosur janë duke agjëruar”, ka thënë Gashi.Ai ka treguar edhe për ushqimin që u shërbet të burgosurve gjatë muajit të Ramazanit dhe mënyrën se si iu shërbehet iftari dhe syfyri.
Gashi ka thënë se gjatë Ramazanit, racioni i drekës u servohet të burgosurve në për iftar, derisa racioni i mëngjesit dhe darkës thotë se u shërbet për syfyr.
“Në kuzhinë ushqimi servohet sipas menysë ditore, normativit dhe kalorive. Çdo herë për iftar shërbehet ushqim i freskët, gjella të ndryshme me mish, etj. Po ashtu, çdo ditë ndryshon lloji i gjellës, njëkohësisht iu servohet supë, sallatë e freskët, bukë, ujë, pemë, lëngje dhe desertë të ndryshme, i cili ndryshon varësisht prej ditës”, thuhet në përgjigjet e Gashit.Në Shërbimin Korrektues kanë treguar se si pritet Festa e Bajramit nëpër burgje. Gjatë kësaj dite, Gashi thotë se menyja bëhet më e begatë dhe se përgatiten edhe embëlsira që të burgosurit të mos e ndjejnë mungesën e shtëpisë.Përveç ushqimeve shtesë, në këtë ditë thotë se nëpër disa qendra korrektuese organizohen edhe aktivitete të ndryshme sportive, si turnire në futboll dhe handboll.
“Sa i takon festës së Bajramit, jo vetëm për ata që agjerojnë, por për të gjithë të burgosurit ajo pritet sikur të gjitha Festat tjera, me ç’rast në nivel të SHKK-së me rekomandim-aprovim të DQ të SHKK-së, Menyja bëhet më e begatë duke u shtuar vlera e saj ditore prej: plus 0.50 Euro, si dhe bëhet përgatitja shtesë e ëmbëlsirave të ndryshme si: Bakllava, Torte, Tamël-Oriz etj.., në mënyrë që sadopak të mos e ndjejnë mungesën e shtëpisë”, ka treguar Gashi.Ndryshe, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar dje se deri tani tani në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit, asnjë i burgosur nuk është prekur me “Covid 19”.Përmes një komunikate drejtuar mediave, SHKK’ja ka bërë me dije se deri tani shtatë zyrtarë korrektues kanë rezultuar pozitivë, pesë prej të cilëve tashmë janë shëruar.“Nga shtatë të infektuarit, pesë janë nga Qendra e Paraburgimit Mitrovicë, një nga Qendra Korrektuese Dubravë dhe një nga Qendrën e Paraburgimit Gjilan. Nga ky numër, të shëruar janë pesë, ndërsa dy zyrtarë janë liruar nga detyra për tu vendosur në vetë-karantinë”, thuhet në komunikatë.