Mbi 320 policë nën “llupen” e Inspektoratit, dyshohen për vepra të ndryshme penale
Mbi 320 policë janë duke u hetuar Inspektorati Policor i Kosovës, pasi ata dyshohet se kanë vepruar kundër ligjit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Ndaj policëve të Kosovës nga janari e deri në korrik janë dërguar 791 ankesa nga qytetarët.
Të shtunën mbrëma është arrestuar një person në Prishtinë respektivisht në sheshin “Nënë Tereza”, pasi që nuk po mbante maskë. Gjatë kontrollit dy policë përdorën forcë për të arrestuar atë.
E gjithë ngjarja ishte filmuar nga kalimtarët e rastit, e për këtë veprim të policëve, nga Policia e Kosovës kanë thënë se personi i arrestuar nuk kishte përfillur urdhëratë e zyrtarëve policorë si dhe kishte qenë agresivë.
Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve policor, Inspektorati Policor i Kosovës është duke e hetuar rastin në fjalë. Sjellje të tilla por edhe të tjera, IPK ka hetuar gjatë tërë vitit, shkruan FaktePlus.
Hetimet ndaj zyrtarëve policor, zakonisht janë bërë për shkaktim të rrezikut në trafik, keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit, shkaktim të lëndimit të lehtë trupor, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, etj.
Vetëm nga Janari i këtij viti e deri në muajin korrik janë pranuar 791 ankesa ku prej tyre janë hetuar 324 sosh.
Sipas të dhënave të IPK-së, dërguar Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, statistikat tregojnë se një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policor janë hetuar për sjelljet dhe veprimet e tyre.
“ IPK nga muaji janari deri në fund të muajit korrik 2020 ka pranuar gjithsej 791 ankesa , ku prej tyre në Departamentin e Hetimeve -IPK janë dërguar 324 ankesa për hetim penal dhe 5 ankesa janë dërguar në për hetime disiplinore, kurse në mungesë të elementeve të veprës penale 458 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës (DHBVK) për hetim disiplinor”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare të IPK-së, gjatë periudhës kohore Janar-Korrik, Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arrestuar 11 zyrtarë policorë dhe 3 persona të stafit civil.
Ndaj veprimeve të kontestueshme të zyrtarëve policorë, janë suspenduar 34 zyrtarë policorë dhe 3 pjesëtar të stafit civil, ndërsa të transferuar ka pasur asnjë zyrtar policor.
Tutje, Departamenti i Hetimeve gjatë kësaj periudhe kohore ka arrestuar edhe 3 qytetarë.
Ndryshe, sipas ligjit të IPK-së, nëse ekziston dyshimi i bazuar se punonjësit e Policisë së Kosovës kanë kryer vepër penale ose shkelje disiplinore dhe prezenca e tyre në punë mund të ndikojë në hetime, IPK rekomandon suspendimin e tyre me pagesë si masë administrative (e jo si ndëshkim ose masë disiplinore) deri në përfundimin e hetimeve dhe në konsultim edhe me prokurorin kompetent.
Ndërkaq sot në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Të Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës është diskutuar edhe për veprimet e fundit të disa zyrtarëve policor, ku deputetët e këtij komisioni kanë kërkuar që policët e rijnë të jenë më tolerant dhe më të kujdesshëm në veprimet e tyre./FaktePlus