Mbi 30 shtete raportojnë raste me variantin e ri të koronavirusit
Të paktën 33 shtete kanë raportuar për raste me variantin e ri të koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Britani.
Rritja e rasteve me koronavirus në Britani u tha se u shkaktua për shkak të variantit të ri të virusit, i cili besohet se përhapet më shpejt. Për shkak të rritjes së rasteve, Britania më 1 janar mbylli shkollat fillore, pasi u regjistruan 50,000 raste të reja në katër ditët e fundit.
Autoritetet shëndetësore në Britani tha se presin që të ketë rritje të personave që do të kërkojnë ndihmë mjekësore, teksa edhe shumë vende presin që të regjistrojnë rritje të rasteve të reja, pas festave të fundvitit.
Në Shtetet e Bashkuara numri i përgjithshëm i infektimeve ka arritur në mbi 20 milionë. Pas SHBA-së, vijnë India dhe Brazili me numrin më të madh të rasteve dhe Rusia gjendet në vendin e katërt.
Sipas të dhënave, numri i vdekjeve në SHBA është rritur në 346,000, ndërkaq në mbarë botën, numri i viktimave nga sëmundja COVID-19, është mbi 1,8 milion.
Mbi 3,400 vdekje janë raportuar më 1 janar në SHBA, teksa ekspertët shëndetësorë thonë se për shkak të tubimeve të njerëzve gjatë Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, do ta përkeqësojë situatën.
Në SHBA deri më tani, pothuajse 2,8 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës – prej dy dozash – kundër koronavirusit, por ky numër është i vogël krahasuar me premtimin e qeverisë që 20 milionë amerikanë do të vaksinohen deri në fund të vitit.
Florida është bërë shteti i fundit amerikan që ka raportuar për variantin e ri të virusit, që fillimisht u identifikua në Britani. Autoritetet thanë se rasti u detektua më 31 dhjetor, 2020, te një person, i cili nuk kishte udhëtuar së fundmi jashtë vendit. Më herët, edhe Kolorado dhe Kalifornia kanë raportuar raste me variantin e ri.
Varianti i ri tashmë është përhapur në 33 shtete të botës dhe ka rritur shqetësimet se do të vazhdojë të përhapet edhe në shtete të tjera.