Mbi 30 milionë kg mish i importuar, AUV flet për cilësinë
Më shumë se 30 milionë kilogram mish kanë hyrë në Kosovë vetëm gjatë muajve janar-gusht të vitit 2019, nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës. Se gjithë kjo sasi e mishit hyri në Kosovë e konfirmojnë nga Dogana e Kosovës, kurse nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tregojnë se si po kontrollohet cilësia dhe a është i sigurt për konsum ky mish.
Vendet prej nga Kosova kryesisht importon sasinë më të madhe të mishit janë, Brazili, Italia, Sllovenia, Holanda, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Gjermania dhe Maqedonia.
Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, dhënë për FaktePlus bëhet e ditur se nga muaji janar deri në muajin gusht të këtij viti në Kosovë kanë hyrë mbi 30 milionë kilogram mish.
Më saktësisht në Kosovë kanë hyrë 3.317.342 kilogram mish, në vlerë prej mbi 44 milionë euro.
Si po kontrollohet dhe a është i sigurt mishi
Se si po kontrollohet dhe sa është i sigurt për t’u konsumuar e gjithë kjo sasi e mishit të importuar, ka treguar zëdhënësi në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.
“Çdo ngarkesë me produkte me origjinë shtazore kur importohet para zhdoganimit kontrollohet nga Inspektorët Veterinar Kufitar, po ashtu të gjitha produktet ushqimore që importohen në Kosovë në mënyrë të rregullt kontrollohen në pikat doganore ku varësisht nga lloji i produktit i nënshtrohet kontrollit të inspektoreve përkatës”, ka thënë ai për FaktePlus.
Thaçi ka treguar se procedurat e kontrollit në pikat kufitare janë të njëjta ndaj të gjitha produkteve ushqimore pavarësisht se nga cili shtet vijnë.
“Produktet me origjinë shtazore i nënshtrohen kontrollit të inspektoreve veterinare. Procedurat e kontrollit në kufij ndaj të gjitha produkteve nga secili shtet që vijnë janë të njëjta. Është obligative që dokumentacioni përcjellës i dërgesave në pikat inspektuese kufitare të jetë origjinal dhe sipas rasteve ai verifikohet në bashkëpunim me autoritetin kompetent për ushqim të shtetit ku është prodhuar produkti (vendit të origjinës)”, ka sqaruar Thaçi.
Ai ka treguar se edhe më tutje vendet nga të cilat më së shumti Kosova ka importe vazhdojnë të jenë vendet e Bashkimit Evropian, SHBA, Brazili, etj.
Skandalet me mishin e prishur
Kujtojmë se pranverën e vitit 2018 u diskua shumë për cilësinë e mishit, pasi u bë publike se gjatë vitit 2017 sasi e madhe e këtij produkti erdhi i prishur nga Belgjika në Kosovë.
Ky skandal për cilësinë e mishit fillimisht kishte shpërthyer në Belgjikë dhe pas hetimeve ishte zbuluar së një kompani atje kishte funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe se ka manipuluar me përmbajtjen e mishit.
E këtë mish dhe produktet e tij me origjinë nga Belgjika dyshohej se e kishin konsumuar edhe qytetarët e Kosovës. Mbi këto dyshime, ishin mbyllur edhe kompanitë që bënë importin e këtij mishi.
Dyfishohet mishi nga Belgjika, AUV nuk tregon a po kontrollohet
Mish i prishur edhe në magazinën e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK)
E dyshimet për cilësinë e mishit kanë qenë të vazhdueshme në Kosovë. Edhe sivjet në shumë raste janë asgjësuar sasi të mëdha mishi të prishur. Skandali i fundit më mish të prishur ka përfshirë edhe Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
Ky skandal me mishin e prishur në magazinën e BIK-ut, i cili u ishte shpërndarë familjeve në nevojë për festën e Kurban Bajramit, ende është në fazën e hetimeve nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Kjo prokurori i ka lëshuar një autorizim Policisë së Kosovës, respektivisht Drejtorisë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit për të mbledhur materiale e fakte shtesë për këtë rast./FaktePlus
Hetimet për skandalin e BIK-ut me mishin e prishur të kurbanëve