Mbi 250 mijë izraelitë marrin dozën e katërt të vaksinës Anti-COVID
Rreth 254,000 izraelitë kanë marrë një dozë të katërt përforcuese të vaksinës kundër COVID-19.
Ky numër kaq i lartë i qytetarëve që kanë marrë dozën e katër të vaksinës u arrit vetëm brenda pak ditësh prej kur autoritetet izraelite njoftuan se qytetarët mund të marrin dozën e katërt. Kështu u tha sot nga Ministria e Shëndetësisë në Izrael, derisa ky vend po përballet me një rritje të infeksioneve për shkak të variantit Omicron.
Deri më tani, vetëm personat mbi 60 vjeç, personat me sëmundje kronike dhe ata me sistem imunitar të dobët kanë të drejtë për të marrë një dozë të katërt të vaksinës kundër COVID-19.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett vlerësoi të dielën marrjen e vaksinës nga grupet e rrezikuara si “një përgjigje të jashtëzakonshme që do të parandalojë sëmurje shumë të rëndë dhe vuajtje”.
Për shkak të përhapjes së variantit Omicron, Izraeli ka parë një rritje të paprecedentë të infeksioneve të reja ditore, duke regjistruar më shumë se 17,500 raste të dielën.
Mediat raportojnë se duke parë rritjen drastike të rasteve të infektimit edhe të personelit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë së Izraelit po shqyrton mundësinë e lejimit të mjekëve dhe infermierëve që të vazhdojnë të punojnë edhe kur rezultojnë pozitiv për koronavirusin për sa kohë që ata nuk shfaqin asnjë simptomë.
Izraeli u vlerësua në të kaluarën si një model për përpjekjet e tij të vaksinimit, megjithatë fushata ka stagnuar.
Vetëm rreth 61 për qind e 9.4 milionë izraelitëve konsiderohen ende të vaksinuar, që do të thotë se ata janë vaksinuar me të dy dozat dhe kanë kaluar më pak se gjashtë muaj pas vaksinimit të dytë, ose kanë marrë një dozë përforcuese.
Rreth 30 për qind e popullsisë nuk janë fare të vaksinuar dhe për rreth 9 për qind, vlefshmëria e vaksinimit tashmë ka skaduar.