Mbi 25 milionë euro për veteranët e UÇK-së në kohë të pandemisë
Kosova po vazhdon të përballet me sëmundjen COVID-19, e cila tashmë ka kapluar thuajse gjithë vendet e botës. Si pasojë e infektimit nga koronavirusi të dhjetëra miliona njerëzve deri tani kanë humbur jetën 650000 persona. E vdekjet po rriten edhe në Kosovë, ku me viktimat e mëngjesit të sotëm ka arritur në 179 numri total i të vdekurve.
Për shkak të rrezikut nga përhapja e virusit thuajse të gjitha vendet kanë ndërmarr masa për parandalimi, e në vendin që kanë ndërmori masa është edhe Kosova. Institucionet e vendit kanë minimizuar në masë të madhe aktivitetet në shumë dikastere.
Madje ky minimizim ka bërë që shumë biznese dhe ndërmarrje të kenë probleme financiare. Në kohën e pandemisë edhe ekonomia kosovare pësoi rënie drastike, e për këtë rënie Qeveria mundësoi “infuzionin financiar” kështu duke ndihmuar sektorin privat me rimbursim të pagave prej 170 euro.
Mirëpo Qeveria ende nuk ka finalizuar pakon e rimëkëmbjes ekonomike, për çka po ankohen bizneset se kufizimet i kanë sjell gati në falimentim.
E në këtë kohë të pandemisë u ‘dobësua’ edhe buxheti i Kosovës, por punonjësit në sektorin publik kanë vazhduar t’i marrin pagat. Këtu janë edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët që nga fillimi i pandemisë kanë marrë pagat e tyre pa ndërprerje.
Vetëm nga muaji mars kur edhe janë shfaqur rastet e para në Kosovë me koronavirus, kjo kategori ka marrë më shumë se 25 milionë euro.
Me gjithë dyshimet e prokurorisë për manipulime, veteranët e UÇK-së po vazhdojnë t’i marrin pensionet e tyre edhe këtë vit. Madje shuma e ndarë nga institucionet është goxha e madhe.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar të dhënat nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, që tregojnë për paratë që janë dhënë për këtë kategori që nga fillimi i vitit 2020.
Vetëm në muajin janar për 38 mijë e 156 veteranët e UÇK-së janë dhënë 6 milionë e 424 mijë e 353 euro.
Kurse 38 mijë e 204 veteranë përfituan pensione në muajin shkurt të këtij viti. E të njëjtën periudhë ish-luftëtarët e UÇK-së i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 6 milionë e 404 mijë e 977 euro.
Edhe për muajin mars, kur edhe filloi gjendja emergjente me mbyllje dhe izolim të të gjitha aktiviteteve madje edhe për lëvizshmëri të njerëzve, për 38 mijë e 205 veteranë u dhanë hiq më pak se 6 milionë e 399 mijë e 265 euro.
Megjithatë, nga muaji në muaj, numri i atyre që përfituan pensione në emër të statusit të veteranit u rrit. Për muajin prill, u paguan 38 mijë e 272 veteranë, që buxhetit të shtetit i kushtuan 6 milionë e 407 mijë e 829 euro.
Edhe muaji maj ishte i kushtueshëm për veteranët. Në këtë muaj nga buxheti i Kosovës u morën hiq më pak se 6 milionë e 406 mijë e 770 euro për 38 mijë e 265 veteranë.
Ndërkaq në muajin qershor janë dhënë 6 milionë e 401 mijë e 964 euro për saktësisht 38 mijë e 218 veteranë.
Në total për gjashtë muaj të këtij viti, veteranët i kushtuan shtetit të Kosovës saktësisht 38 milionë e 445 mijë e 160.50 euro.
Pagesat për veteranët Janar-Qershor
Kujtojmë se Prokuroria në aktakuzën e parë të ngritur gjatë vitit të kaluar, për rastin e njohur si “Veteranët” kishte përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që dyshohet se marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës së UÇK-së.
E ndaj këtyre ‘veteranëve’, së fundmi Organizata e Veteranëve të Hasit ka kërkuar nga Institucionet e vendit që të largohen mijëra veteranë të rrejshëm në këtë anë.
Sipas tyre gjatë kohës së luftës, në këtë zonë kanë qenë vetëm 300 pjesëtarë të Ushtrisë, ndërsa pas luftës janë bërë rreth 4 mijë./FaktePlus