Mbi 22 milionë dollarë u shpenzuan për sigurinë e themeluesit të Facebook-ut
Rrjeti i njohur social, Facebook, i ka dyfishuar shpenzimet për sigurinë e shefit të tij gjatë vitit 2018. Raportohet se gjatë vitit 2018 janë shpenzuar 22.6 milionë dollarë për sigurinë e miliarderit amerikan.
Ndonëse zyrtarisht paga e tij në tre vjetët e fundit është vetëm një dollar, shpenzimet tjera për të janë mjaft të larta. Shumica e shumës prej 22.6 milionë dollarësh është shpenzuar për sigurinë e tij personale.
Rreth 20 milionë dollarë u shpenzuan për sigurinë e Zuckerbergut dhe familjes së tij gjatë vitit 2018. Kjo shifër paraqet rritje të konsiderueshme në krahasim me shumën prej 9 milionë dollarësh që u shpenzua për të njëjtin qëllim në vitin 2017.
Pjesa tjetër, 2.6 milionë dollarë, janë shpenzuar për udhëtime me aeroplanë privatë, të cilët janë pjesë e programit për sigurinë e tij.
Rrjeti social është kritikuar viteve të fundit për rolin e tij në shpërndarjen e informatave të rreme, propagandave politike, keqpërdorim të të dhënave dhe shkelje të privatësisë.
Në mesin e akuzave është edhe përfshirja në ndikimin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, shkruan “The Guardian”, /FaktePlus