Mbi 1,600 hektarë tokë e përmbytur në Shkodër, 26 familje janë evakuuar
Rreth 1,685 hektarë tokë është përmbytur në Shkodër si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme që kanë përfshirë kryesisht të gjithë territorin e Shqipërisë prej disa ditësh.
Në fshatrat Obot, Muriqan dhe Oblikë paraqitet situata më kritike, ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore vlerësohet në 900 hektarë.
Niveli i ujit mbi rrugën e Obotit arrin rreth 40 cm, ndërsa Ujësjellësi Oblika 1, si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit.
Sipas një raporti të Bashkisë së Shkodrës, deri më tani janë evakuuar 26 familje me 99 persona, kryesisht nga Njësitë Administrative Guri i Zi, Bërdicë dhe Lagja Nr.4.
Në konvikte janë akomoduar 3 familje, ndërsa pjësa tjetër tek të afërmit.
Në një intervistë për Euronews Albania ditën e djeshme, kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia deklaroi se kjo situatë kërkon edhe shpalljen e gjendjes së emergjencës, megjithëse ende nuk e ka kërkuar zyrtarisht diçka të tillë.