Mbi 1000 lloje të veturave në Kosovë, rritet blerja me zero zero kilometër
Me ndryshimin e Ligjit për automjete nga muaji janar i vitit 2018 është kufizuar edhe regjistrimi i tyre sipas vjetërsisë. Kjo edhe ndikoi në rritjen e importit para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe një numër i madh i makinave u regjistruar dhjetorin e vitit të kaluar. Por, interesimi për vetura të reja është rritur dukshëm në këtë vit, krahasuar më vitin e kaluar, shkruan FaktePlus.
Të dhënat e Doganës së Kosovës dërguar redaksisë FaktePlus tregojnë se në këtë vit janë importuar shumë më shumë vetura të reja me kilometrazh zero se në vitet e kaluara.
Sipas të dhënave të doganës, në gjithë vitit 2017 janë importuar 2537 vetura të reja të të gjitha llojeve. Nga to, dogana ka përfituar pagesë 614 mijë e 521 euro. Akciza është paguar në vlerë prej 50 mijë e 400 euro. Kurse TVSH-ja në vlerë prej 7 milionë e 061 mijë euro. Gjithsej në total janë paguar 7 milionë e 726 mijë euro.
Ndërsa, sivjet nga janari deri me 19 dhjetor, janë importuar 3191 vetura të të gjitha llojeve. Dogana ka inkasuar para në vlerë prej 666 mijë e 492 euro, akciza në vlerë prej 64 mijë e 300 euro, TVSH-ja 9 milionë e 168 mijë euro. Totali 9 milionë e 899 mijë euro.
Bazuar në të dhënat e doganës në këtë vit, më së shumti vetura janë importuar gjatë muajit maj, gjithsej 372, dhe gjatë muajit mars 341. Më së paku janë importuar në muajin nëntor, veç 152 sosh. Edhe në vitin e kaluar më së shumti janë importuar vetura në muajin maj, ndërsa më së paku në janar.
Importi i veturave në përgjithësi ka renë pas kufizimit për vjetërsi (10 vite) dhe kufizimit në motor (EURO 4). Derisa gjatë vitit 2017 kishim në total 13 324 vetura (të reja dhe të përdorura) që janë importuar, ketë vit janë importuar 8479 automjete (të reja dhe të përdorura), pra ka një ulje prej 36% më pak.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Kosovë janë rreth 1120 lloje të veturave të regjistruara, prej të cilave 10 markat më të preferuara të kosovarëve janë: VW, Opel, Mercedes-Benz, Audi, Ford, Renault, Peugeot, Fiat, BMW dhe Daimler Benz.
Në vitet 2016 dhe 2017 importi i veturave të vjetra ka qenë i lartë. Nga gjithsej 64 mijë e 204 vetura sa erdhën në Kosovë për vitet 2016 dhe 2017, 90 deri 92 për qind e tyre ishin të përdorura dhe 8 deri në 9 për qind përbënin veturat e reja dhe vetura hibride me një përqindje të papërfillshme.
Kufizimi i importit të veturave të vjetra deri në dhjetë vjet hyri në fuqi më 1 janar 2018, me arsyetimin se në Kosovë po importohet një numër i madh i veturave të vjetra, e të cilat po shkaktojnë probleme si në komunikacion, por edhe në ndotje të mjedisit./M.B-FaktePlus