Mbetet në burg vëllai i kryetarit që u kap duke kërkuar ryshfet për ndërtime
Salih Tahiri, që është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është parë në një videoincizim duke kërkuar ryshfet për të filluar një ndërtim.
Për çka Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet.
Kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja, prokuroria ka marrë sot një vendim për këtë rast.
Vëllait të kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahiri i është vazhduar edhe për një muaj masa e paraburgimit. Këtë e ka konfirmuar zyrtari për media nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
“Është vazhduar edhe për një muaj masa e paraburgimit për të dyshuarit”, tha shkurt Preteni pë Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth çështjes duke thënë se rastin është ende nën hetim.
“Nuk mund të japim më shumë detaje, pasi që prokurori është duke u marrë me rastin dhe rasti është nën hetime”, tregon Preteni.
Sali Tahiri nga Vushtrria, sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, dyshohet për veprën penale: “Ushtrim i ndikimit“ nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KRPK).
Ndalimi i dy të dyshuarve ka ardhur pas një video-incizimi të publikuar nëpër media, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet S.T, i cili është vëllai i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xh.T,.
Me tu publikuar video-incizimi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Shyqyri Syla, ka urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi, ku pas hetimeve janë ndaluar dy të dyshuarit S.T dhe Sh.K.