Matja për një muaj, Kurti apo Haradinaj – ja cili shkarkoi e ngarkoi më shumë
Është mbushur një muaj prejse Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ka marrë detyrën. Muaji i parë i saj u karakterizua kryesisht me shkarkime të personave nga bordet e ndërmarrjeve, e ulje të pagave për personelin qeveritar. E krahasuar me 30- ditëshin e parë të Qeverisë Haradinaj, natyra e vendimeve të marra nga Qeveria Kurti nuk është edhe aq e ndryshme. Edhe Haradinaj në ditët e para të qeverisjes së tij kishte shkarkuar persona nga bordet. Po ashtu kishte ndarë mjete financiare për çështje të ndryshme, ashtu siç ka bërë edhe Kurti.
Pasi tash është mbushur një muaj prejse Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti edhe mund të bëhet një krahasim me Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.
E matja për muajin e parë të këtyre qeverisjeve, tregon se numri i mbajtjes së mbledhjeve mund të jetë i ndryshëm, sikurse edhe numri i vendimeve, por nuk ka shumë ndryshim në natyrën e vendimeve. Madje, si për koincidencë të dyja qeveritë, si kjo e Kurtit ashtu edhe ajo e Haradinajt, e kanë nisur punën me shkarkime.
Por cilat janë vendimet më të rëndësishme të marra në muajin e parë nga të dy kryeministrat e përmendur më lartë?
Vendimet nga Qeveria Kurti
Qysh nga marrja e mandatit më 4 shkurt 2020, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti për një muaj ka mbajtur 4 mbledhje dhe ka marrë disa vendime të mëdha.
Vlen të ceket se janë përgjysmuar pagat e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe stafit të tyre, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Po ashtu, është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për pagat e ish-ministrave e ish-zëvendësministrave pasi ata përfundojnë mandatin.
Qeveria ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës”, Bordin e Drejtorëve të “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A e të ndërmarrjes “Trepça”, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Po ashtu janë shkarkuar koordinatorët e emëruar nga Haradinaj, ambasadorë e konsuj të shumtë.
Në sistemin e drejtësisë vlen të ceket aprovimi i propozimit të Ministrisë së Drejtësisë për themelimin e Grupit të Ekspertëve të pavarur që do të dizajnojë parimet udhëheqëse, skenarët dhe elementet e reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë, i përbërë nga 10 persona, nën kryesimin e Qerim Qerimit.
Është anuluar tenderi 110 milionësh i autostradës Prishtinë-Gjilan dhe ndërtimi i lagjes pranë liqenit të Badovcit.
Gjatë këtyre ditëve është nënshkruar marrëveshja me Bankën Botërore për të mbështetur Kosovën me një grant prej 2,785,000 dollarë, i cili u dedikohet komunave për zhvillimin e aftësive të rinisë.
Është emëruar Komiteti për Partneritet Publiko-Privat, në përbërje të të cilit janë pesë ministra.
Po ashtu, është marrë vendim që sekretarët e përgjithshëm nga ministritë e prekura, nga riorganizimi që zvogëloi numrin e ministrive, kaluan në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin civil.
Edhe Rregullorja për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive është aprovuar, shkruan FaktePlus.
Megjithatë vlen të ceket se kjo Qeveri ende s’e ka miratuar programin qeverisës dhe projektbuxhetin e këtij viti.
Vendimet nga Qeveria Haradinaj
Një numër të madh vendimesh në njëmujorin e parë të saj brenda 7 mbledhjeve kishte marrë edhe Qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj, e cila ishte votuar më 9 shtator të vitit 2017.
Qysh në mbledhjen e parë kjo Qeveri kishte shkarkuar anëtarët e Komisionit Shtetëror për Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror sipas Vendimit të Qeverisë nr. 05/28 të datës 08.05.2015 dhe kishte shfuqizuar vendimin e Qeverisë paraprake në bazë të së cilit ishte themeluar ky Komision.
Më pas, Qeveria Haradinaj kishte miratuar vendimet që mbështesin angazhimin e Qeverisë për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me shpronësimet e pronave të paluajtshme që preken nga zgjerimi i mihjes në Shipitullë, dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Ishte miratuar vendimi me të cilin banorët e zonës së veçantë në pesë (5) vitet e fundit, në fshatrat Hade dhe Shipitullë, kanë përparësi në kushte të barabarta, në procedurat e punësimit, për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike, në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Qeveria ishte zotuar se do të mbulojë shpenzimet e ekspertizës së hetuesisë për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
100 mijë euro kishte ndarë për të prekurit nga uragani ‘Harvey’ në Houston të ShBA-së.
Qysh më mbledhjen e tretë ishte votuar Programi Qeverisës 2017-2021, ishte miratuar programi legjislativ për vitin 2017 dhe ishte marrë vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare.
Në mbledhjen e katërt Qeveria kishte miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2017.
Ishin emëruar edhe anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror me në krye Shpejtim Bulliqin, komision i cili ishte autorizuar ta bënte edhe vlerësimin e punës së komisionit të mëparshëm.
Po ashtu, ishin ndarë mjetet financiare për kompensimin e sekretarisë dhe Komisionit qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, për punën gjatë vitit 2016 dhe 2017.
Në mbledhjen e pestë Haradinaj kishte marrë vendim për shkarkimin e dhjetë anëtarëve të bordeve përfshirë katër të Aeroportit të Gjakovës, dy nga Infrakosi, një nga Trainkosi dhe tre të KOSTT’it. Ishte miratuar edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ishte miratuar edhe plotësimi dhe ndryshimi i një vendimi që siguron shfrytëzimin e buxhetit për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa edhe për zgjedhjet lokale.
Ishte miratuar Projektligji për Noterinë, ai për parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik dhe shpronësimi i pronave shoqërore të KBI “Kosova Export” dhe NSH “Bujqësia” në Obiliq të cilat u prekën nga projekti për renovimin e stadiumit të futbollit.
Po ashtu, Qeveria kishte miratuar Projektligjin për Kryeqytetin, Strategjinë e Energjisë 2017-2026, kishte themeluar Komisionin e Ministrave për Ndërmarrjet Publike dhe Këshillin e Ministrave për Reformën në Administratën Publike.
Prodhuesit varësisht që importojnë vet apo përmes kontraktuesve të autorizuar nga ATK-ja për shtyrje të TVSH-së për lëndë të parë për të gjitha burimet e energjisë që përdoren për qëllime të prodhimit, ishin liruar nga tatimi
Po ashtu, ishte formuar edhe Bordi i SHSKUK-së.
Qeveria Haradinaj kishte rënë më 19 korrik 2019 pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, i cili atë kohë ishte ftuar nga Gjykata Speciale.
Për afro 6 muaj Kosova ka qenë pa Qeveri./FaktePlus