MASHTI s’ka informata se të hënën fillon mësimi nëpër shkollat e vendbanimeve me shumicë serbe në Kosovë
Një shkollë në fshatin Llapnasellë të Graçanicës pritet të fillojë mësimin më 1 qershor, kështu duke mos përfillur vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur dje për një media serbe, Dragica Mitiq- drejtoresha e shkollës ekonomiko-tregtare në Llapnasellë të Çagllavicës.
“Prej 1 deri më 3 qershor nxënësit që nuk janë të kënaqur me notat e përfunduara, mund t’i përmirësojnë ato nota. Më pas fillohet me provimin e maturës, që përbëhet nga katër pjesë dhe që kryhet brenda katër ditëve. Ditën e parë është provimi nga gjuha serbe, ditën e dytë nga puna praktike, më pas mbrojtja e punës praktike dhe ditën e katërt është provimi nga lënda zgjedhore. Pres që provimet të përfundojnë deri më 8 qershor”, ka thënë Mitiq për Radio KIM.
Lidhur me këtë çështje, Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka folur me Xhavit Rexhajn, zëvendësministër në MASHTI.
Rexhaj është shprehur shkurt se nuk është i informuar për këtë çështje.
“Nuk jemi të informuar”, tha shkurt Rexhaj.
Tutje, Rexhaj bëri të ditur se si po planifikojnë t’i kthejnë nxënësit në shkolla.
Ai ka thënë se kjo varet edhe nga vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetësisë Publike dhe çështjes së dezinfektimit.
“Ne jemi duke punuar disa skenare tash edhe në njëri prej skenarëve është dërgimi në shkollë i nxënësve që s’kanë mundësi me viju mësimin në shtëpitë e veta. Ajo është një prej skenarëve, mirëpo ne jemi duke e pritur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë edhe të Institutit të Shëndetësisë Publike dhe kur t’i shohim kushtet e tyre e nëse thojnë që çdo ditë duhet me i dezinfektu, atëherë ne duhet me ulë dukshëm numrin e nxënësve në shkollë. Pra do të varet shumë prej udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë”, u shpreh Rexhaj.
Sipas Rexhës, nëse duhet të mbahet distanca sociale, atëherë nuk mund t’i dërgojnë nëpër shkolla më shumë se ¼ e nxënësve.
“Nëse duhet me e mbajtë dy metra distancën nuk mundesh dy metra larg njëri-tjetrit nuk mundesh me i çu nëpër shkolla më shumë se ¼ e nxënësve. Dmth këto kritere ndikojnë shumë se çka do të bëjnë”, deklaroi ai.
Rexhaj ka shtuar se varësisht situatës edhe do të veprojnë.
Sipas tij, përparësi ka përgatitja e nxënësve për maturë e semimaturë, si dhe mësimi i atyre që s’kanë pasur kushte ta vijojnë mësimin në distancë.
“Nëse janë më pak shpenzimet atëherë do të shkojmë me opsionin optimal, me më shumë klasë psh çerdhet t’i hapim, t’i shtrijmë klasën e parë, të pestë e kështu me radhë. Do t’i përgatisim nxënësit për test të arritshmërisë, për maturë, nxënësit që s’kanë pasur kushte me viju mësimin në distancë etj”, u shpreh Rexhaj për FaktePlus.
Ndryshe, FaktePlus merr vesh se institucionet parashkollore do të hapen më 2 ose më 4 qershor.
“Me 2 ose 4 qershor po presim me çel çerdhen. Na, nga sot veç ia kemi nis mu bë gati. Kështu kemi marr vesh e po besojmë qe edhe po çelen”, ka thënë për FaktePlus një punëtore e një çerdheje private.
Shkollat në Kosovë janë mbyllur që nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit të ri COVID-19.
Dhjetë ditë më vonë, Ministria e Arsimit vendosi që të mbahet mësimi në distancë.