MASHT e pranon se ka kopshte e çerdhe private që nuk i plotësojnë kushtet
Viteve të fundit është shtuar numri i institucioneve parashkollore, respektivisht kopshteve dhe çerdheve në Kosovë. Por, ky numër ende është i pamjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e fëmijëve që kanë nevojë për qëndrim në këto institucione. E shqetësuese vazhdon të jetë ende edhe cilësia e kushtet që ofrojnë këto institucione.
Kopshtet dhe çerdhet janë mundesia më e mirë për gjithë prindërit që janë të angazhuar në ndonjë punë, për të dërguar fëmijët e tyre për qëndrim ditor aty, por dilemë e tyre vazhdon të jetë ende cilësia dhe kushtet që ofrojnë këto institucione, qofshin publike apo private.
Staitiskat tregojnë se janë vetëm 10 për qind e fëmijëve të moshës 1-5 vjeçare në Kosovë që qëndrojnë dhe vijojnë mësimin në instuticionet parashkollore.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në vitet paraprake, kanë qenë 42 instuticione parashkollore publike në tërë vendin, e në këto instuticione janë rreth 5,328 fëmijë.
Ndërsa, sa i përket çerdheve në sektorin privat janë gjithsej 102 osh në gjithë vendin, me 3779 fëmijë të moshës parashkollore.
Ndërkaq, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, qyteti me më së shumti çerdhe private është Prishtina, e cila ka mbi 50 sosh.
Po ashtu, kryeqyteti i Kosovës dominon edhe sa i përket pjesëmarrjes së fëmijëve në këto instuticione, ku numri i tyre sillet mbi 1 mijë.
Kujtojmë se shumica e prindërve duan t’i kenë fëmijët e tyre në kopshte e çerdhe, por për shkak të numrit të kufizuar pjesa më e madhe nuk po mundet t’i dërgojnë në ato publike. Kështu ata po detyrohen që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në ato private.
Zyrtarë nga MASHT kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se jo të gjitha kopshtet private i kanë të gjitha kushtet ideale për funksionimin e tyre.
Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se ndonëse kopshtet dhe çerdhet private janë nën vëzhgimin e MASHT-it, disa prej tyre nuk i plotësojnë të gjitha kushtet.
Gashi thotë për FaktePlus se MASHT kryen vazhdimisht kontrolle në këto kopshte, por që nuk ka treguar nëse kanë gjetur ndonjë shkelje specifike.
“Të gjitha kopshtet dhe çerdhet private mbikëqyren nga MASHT, fillimisht nga komisioni profesional para se ta marrin licencën nëse i plotësojnë kushte apo jo dhe nga inspektorati i arsimit. Ndaj këtyre kopshteve MASHT po ashtu bënë inspektime të rregullta”, është shprehur Gashi.
MASHT thekson se këtë vit janë fokusuar për kontrolle në çerdhet të cilat veprimtarinë edukative e ushtrojnë pa poseduar ndonjë licencë pune të lëshuar nga organet kompetente.
Por, këshilltari Gashi nuk ka dhënë detaje nëse ka pasur sanksione për këto çerdhe të cilat kanë funksionuar pa licencë.
“Këtë vit jemi fokusuar më së shumti në ato të ashtuquajtura çerdhe që veprimtarinë edukative e ushtrojnë pa licencë pune nga MASHT. Por, jo të gjitha çerdhet i plotësojnë në mënyrën ideale kushtet, por kërkesat e prindërve janë të mëdha për çerdhe sepse tek prindërit varet edhe karriera e punësimit . Andaj ata janë të detyruar t’i vendosin fëmijët e tyre e çerdhe”, ka thënë Gashi për FaktePlus.
Kështu, prindërit e fëmijëve parashkollorë përveç që po detyrohen të paguajnë shuma të mëdha të parave për dërgimin e fëmijëve të tyre në kopshte e çerdhe private, po përballen edhe me faktin se këto institucione nuk janë në nivelin e duhur./FaktePlus